Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e Kryesisë ku u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, raporton Gazeta Blic.
Në reagimin e tyre thuhet se LDK-ja dënon dhunën e ndodhur një ditë më parë në Kuvend dhe e refuzon atë si mjet.
Tutje në reagimin e tyre thuhet se LDK-ja kërkon përgjegjësi politike për skandalin e publikuar të përgjimeve ku pushteti dhe eksponentë të lartë të tij kanë komunikuar me kriminel që janë në listën e zezë të SHBA-ve, raporton Gazeta Blic.
Njoftimi i plotë:
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, e thirrur nga kryetari Lumir Abdixhiku u diskutua për zhvillimet e fundit politike me theks të veçantë mbi skandalet e fundit të partisë në pushtet.
Lidhja Demokratike e Kosovës dënon edhe njëherë pamjet e shëmtuara të dhunës në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe refuzon dhunën si mjet.
LDK vlerëson se vëmendja duhet të kthehet në normalizimin e situatës në veri dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit.
LDK kërkon përgjegjësi politike për skandalin e publikuar të përgjimeve ku pushteti dhe eksponentë të lartë të tij kanë komunikuar me kriminel që janë në listën e zezë të SHBA-ve dhe tendencat e tyre për ndërhyrje në procesin e drejtësisë si dhe përgjegjësi lidhur me arrestimet e njerëzve të pushtetit të dyshuar për korrupsion.
Nga të gjitha skandalet e partisë në pushtet qytetarët janë harruar, prandaj është jetike që vëmendja e institucioneve të Kosovës të kthehet tek sfidat e tyre të përditshme.
LDK do të vazhdojë konsultimet me grupe të ndryshme shoqërore në kuadër të nismës drejt rrugës së re; në ndërtimin e masës kritike për ruajtjen e demokracisë, mendimin e lirë e orientimin euroatlantik, si projekt i pandryshueshëm i Republikës.
Kosova duhet të kthehet në binarët e saj, prej ku pushteti populist e ka larguar duke e futur vendin në sanksione për tu zbrapsur pastaj në pikën që LDK ka insistuar në vazhdimësi.


