Lajme

“LDK nuk i arriti pritjet, Osmani e angazhuar pjesërisht në fushatë”, thotë analisti politik

06/10/2026 20:04
nga:Genita C

Analisti politik Blerim Burjani ka vlerësuar se pritjet e Lidhjes Demokratike të Kosovës në fushatën e fundit zgjedhore kanë qenë më të mëdha se rezultati i arritur, pavarësisht një aktiviteti të dukshëm në terren.

“Pritjet e LDK-së ishin më të mëdha dhe fushata ka qenë aktive”, ka thënë Burjani, duke shtuar se mungon përshtypja që Vjosa Osmani ka qenë plotësisht e angazhuar në aspektin e kritikave politike gjatë fushatës. “Ajo ka bërë vetëm disa komente të shkurtra për sjelljet e Kurtit, por ka mbetur shumë pa u thënë”, ka theksuar ai për GazetaBlic.

Sipas tij, LDK-ja e ka mbështetur shumë strategjinë e saj zgjedhore te figura e Vjosa Osmanit, por kjo qasje nuk ka prodhuar efektin e pritur elektoral.

“Në fund nuk u arrit qëllimi i shtabit zgjedhor të LDK-së”, është shprehur Burjani.

Ai shton se fushata është udhëhequr kryesisht nga Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani, me mbështetjen e degëve të partisë, por me mungesë të zgjerimit të kontakteve me segmente të ndryshme shoqërore.

“Ka munguar kontaktimi i sindikatave të shumta dhe profileve të ndryshme”, ka deklaruar ai.

Burjani vlerëson se përqendrimi ka qenë kryesisht brenda strukturave dhe bazës partiake, ndërsa rezultati mbeti i kufizuar.

“Nuk kam pritur rritje më shumë se rreth 5%, dhe rezultatet dolën afërsisht rreth 18%”, ka thënë ai, duke përmbyllur se “ka pasur mundësi për më shumë, por nuk u arrit qëllimi”.