Lajme

LDK: Me 100 euro nuk mund të fshihet paaftësia e qeverisë

04/12/2022 16:49
nga:Donika Fetahu

Lidhje Demokratike e Kosovës e ka quajtur populiste vendimin e kryeministrit Kurti, për ndarjen nga 100 euro për pensionistët, sektorin publik, privat dhe studentët.

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa ka thënë se kjo masë populiste synon blerjen e paqes sociale dhe shitjen e paaftësisë qeverisëse.

“Fatkeqësisht kjo përfundon duke qenë vetëm si masë populiste që synon blerjen e paqes sociale dhe shitjen e paaftësisë qeverisëse”, ka thënë Mustafa:

“Qytetarët kanë nevojë për zhvillim ekonomik afat-gjatë dhe jo lëmosh të skemave sociale, dhe njëherazi i bëjmë thirrje që sa më parë të përqendrohet tek investimet e mëdha kapitale që gjenerojnë të mira ekonomike afat-gjatë për të gjithë qytetarët e Kosovës, me 100 euro politike nuk mbulohet skandali i shkeljes së kushtetues, me 100 euro politike nuk mund të mbulohet nepotizmi i skajshëm, konflikti i interesit dhe kapja e institucioneve të pavarura, me 100 euro politike nuk mund të mbulohet afera super pronto e konkursit në KEK, me 100 euro politike nuk mund të mbulohet dështimi në politikën e Jashtme.  Pra me 100 euro politike  nuk blihet paqja sociale dhe nuk mund të fshihet paaftësia qeveris”.

Tutje, Mustafa theksoi në mungesë të ideve të qeverisë, përkrah idenë e trustit.

“Sa i përket trustit, LDK-ja përkrah këtë ide në mungesë të qeverisë, LDK-ja vlerëson se është i vetmi opsion i mbetur tanimë është t’u lejohet qytetarëve një përqindje e caktuar e tërheqjes”.