Lajme

LDK kundër ‘Ballkanit të Hapur’: Vetëm Procesi i Berlinit garanton barazinë

06/09/2022 16:49
nga:G B

Pro dhe kundër janë qëndrimet për ‘Ballkanin e Hapur’, të cilin Kosova vazhdon ta kundërshtojë.

Kundër kësaj nisme është edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila është pro Procesit të Berlinit.

Kështu ka bërë të ditur për Gazeta Blic zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi.

Ajo thotë se LDK e mbështetë bashkëpunimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor brenda Procesit të Berlinit.

“Qëndrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, rreth integrimeve rajonale është tashmë i qartë dhe i pandryshueshëm. Si LDK mbështesim bashkëpunimin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor brenda Procesit të Berlinit, ku Kosova ka dhënë dhe zotimet ndërkombëtare”, thekson ajo.

Halimi shton për Gazeta Blic se çdo iniciativë ka kuptim kur të gjitha palët janë të barabarta, derisa potencon se këtë e garanton Procesi i Berlinit.

“Çdo vetiniciativë tjetër rajonale, si proces ndihmues apo paralel, ka kuptim vetëm atëherë kur palët trajtohen barabartë. Kjo barazi trajtuese sigurohet kur shtetet pjesëmarrëse njohin njëra tjetrën në kufijtë ekzistues dhe në sovranitetet e tyre kushtetuese – si dhe ndërtojnë mekanizma institucional që sigurojnë qartë funksionimin e nismave në mënyrë të barabartë ndaj shteteve anëtare. Procesi i Berlinit garanton dhe barazinë dhe mekanizmat mbikëqyrës – dhe mbi të gjitha, garanton avancimin e rajonit në familjen evropiane”, deklaron Halimi.

Ndryshe, Kosova është i vetmi vend në rajon që kundërshton ‘Ballkanin e Hapur’, derisa qëndrim për këtë nismë kanë ndryshuar Mali i Zi dhe Bosnja./Gazeta Blic/