Lajme

LDK: Ikja e mjekëve nga Kosova dukuri shqetësuese, Qeveria pa strategji për ta parandaluar këtë fenomen

04/01/2022 19:00
nga:Astrit Gashi

Ikja masive e mjekëve nga Kosova, është shqetësuese dhe paraqet rrezik serioz për gjithë sistemin shëndetësor. Vetëm gjatë muajit shkurt të këtij viti, 45 prej tyre janë larguar nga vendi. Numri i vogël i mjekëve në Kosovë gjithë këtë situatë e bën akoma më të rrezikshme, ka theksuar Lidhja Demokratike e Kosovës, me anë të një kumtese të publikuar në faqën e saj në Facebook.

Lidhja Demokratike e Kosovës u shpreh se i sheh me shqetësim të madh deklaratat e zv. kryeministrit të Kosovës rreth ikjes së mjekëve nga Kosova, i cili krahasoi Kosovën me vendet e zhvilluara evropiane.

“Për dallim nga vendet që i ka përmendur zv. kryeministri, në Kosovë qytete të tëra veprojnë me vetëm nga një mjek familjarë, për gjithë territorin e tyre”, u theksua më tutje në kumtesë.

LDK më tutje vlerësoi se Qeveria e Kosovës nuk ka as strategji e as vullnet mbi trajtimin dhe parandalimin e fenomenit të ikjes së tyre.

“Ikja e një mjeku të shkolluar në vendin tonë, i kushton buxhetit të shtetit dhjetra mijëra euro. Kjo qeveri duhet të ndërmarrë me urgjencë hapa strategjik në parandalimin e kësaj dukurie, si ngritja e pagës për punëtorët shëndetësor e ndarja e specializimeve sipas kërkesave të institucioneve shëndetësore. Të gjitha këto në shërbim të ofrimit të kushteve të dinjitetshme për ta”, u theksua më tutje.