Lajme

LDK ia hapë dyert Vjosa Osmanit/ Analistët: Rikthimi i saj, mundësi për të rikthyer elektoratin

03/12/2026 20:00
nga:G B

Rikthimi i mundshëm i Vjosa Osmanit në LDK, pas përfundimit të mandatit si presidente, po diskutohet shumë së fundi.

E pyetur lidhur me këtë çështje, ajo tha se do ta sheh se cili është interesi më i madh i Kosovës.

“Do ta shoh se cili është interesi më i madh i Republikës së Kosovës, kjo do të determinohet edhe nga zhvillimet e tanishme”, tha Osmani në intervistën për Syri TV.

Ndërsa, mundësinë që ajo t’i bashkohet LDK-së e la të hapur kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.

Ai mbrëmë në Rubikon të Klan Kosovës foli për mundësinë e një bashkimi të madh të së djathtës në Kosovë, duke theksuar se në këtë projekt një rol të rëndësishëm do ta kishte edhe presidentja aktuale, Vjosa Osmani.

Abdixhiku theksoi se pasi Osmani është aktualisht ende presidente nuk mund të flitet më gjerësisht për angazhime politike, por theksoi se në një projekt të madh të së djathtës ajo do ta kishte vendin e saj të padiskutueshëm. ndonjëherë.

“Është koha për bashkim të madh dhe jo për interesa individuale. Nuk kemi njerëz për të humbur dhe të gjitha potencialet duhet të bashkohen”, u shpreh ai.

Ndërsa, sot në Facebook ai ka shkruar se është koha për bashkim dhe do të nis bashkimin e madh politik e qytetar rreth një projekti të përbashkët.

“Koha kërkon bashkim. Të institucionalistëve, mbështetësve të Republikës dhe të gjithë udhëtarëve të rrugës euroatlantike. Të gjithë këta kanë një shtëpi të përbashkët, Lidhjen Demokratike të Kosovës. Prandaj, do të nis bashkimin e madh politik e qytetar rreth një projekti të përbashkët. Një projekti që tejkalon secilin prej nesh. Që tejkalon dallimet e vogla, ambiciet e mëdha dhe hidhërimet e së shkuarës. Ato në kohë krizash e përballë fateve të mëdha të së ardhmes, bëhen krejtësisht të parëndësishme”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Lidhur me këto deklarata dhe mundësinë e rikthimit të Osmanit në LDK, ish diplomati Avni Arifi, thotë për Gazeta Blic se duket se LDK ka bërë paqe me Osmanin pas ikjes së saj nga partie dhe rikthimi i saj në këtë parti shihet si mundësi për rikthim të elektoratit.

“Pas asaj që tha Abdixhiku, duket se LDK ka bërë paqe me të pas ikjes së saj nga LDK në vitin 2021. Një numër i njerëzve të LDK-së e shohin kthimin e Vjosës si mundësi për rikthim elektorati dhe duket se Abdixhiku është i hapur për një hap të tillë. Politika në Kosovë dihet që është çështje interesi e jo çështje parimesh”, është shprehur ai.

Ndërsa, analistja Shqipe Pantina, për Gazeta Blic thotë se rrugët e LDK-së me Osmanin do të puqen herët apo vonë, teksa shton se kjo parti duhet t’ia hapë dyert Osmanit dhe të përgatisë strategji që e bën parti fituese.

“Zonja Osmani e ka bërë të qartë se do të vazhdojë të jetë aktive në politikë dhe mendoj se rrugët e saj me LDK-në do të puqen herët ose vonë. Edhe LDK, pas rezultatit të fundit zgjedhor, ka nevojë për një rishikim të strategjisë, sidomos për mënyrën se si t’i bindë qytetarët se është alternativa më e mirë për ndryshimet pozitive që i duhen vendit. Prandaj, LDK duhet t’ia hapë dyert zonjës Osmani, por jo vetëm asaj, dhe të përgatisë një strategji të re që e bën fituese në zgjedhjet e ardhshme”, ka deklaruar Pantina./Gazeta Blic/

A do të ktheheni në LDK – kështu përgjigjet Vjosa Osmani