Alban Zogaj, anëtar i kryesisë së LDK-së deklaroi se partia ende nuk ka marrë asnjë vendim lidhur me çështjen e presidentit.
Ai për GazetaBlic theksoi se kjo temë nuk ka qenë pjesë e diskutimeve dhe se më parë pritet konstituimi i Kuvendit dhe krijimi i institucioneve.
Zogaj tutje thotë se, çdo qëndrim zyrtar i LDK-së mbi këtë çështje do të formulohet brenda organeve të partisë, sipas procedurave statutare.
“Aktualisht, LDK nuk ka asnjë vendim lidhur me çështjen e presidentit. Kjo temë ende nuk ka qenë në tavolinë për diskutim. Në radhë të parë, po presim konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve, dhe vetëm më pas do të hapen temat e tjera. Kur kjo çështje të trajtohet zyrtarisht brenda organeve të partisë, do të kemi edhe një qëndrim të qartë, në përputhje me procedurat statutare”, tha Zogaj për GazetaBlic.


