Partitë politike në vend nesër e kanë afatin e fundit për të dërguar ndonjë çështje shtesë për vendosjen e datës së zgjedhjeve nacionale, pos diskutimeve dhe propozimeve që patën me presidenten Vjosa Osmani javë më parë.
Në një konferencë për media, presidentja Osmani tha se kur t’i marrin të gjitha këto çështje shtesë, nga nesër do të ulet me kabinetin e saj të punojë për vendosjen e datës së zgjedhjes.
Lidhur me këtë dhe caktimin e datës së zgjedhjeve, janë deklaruar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, për GazetaBlic, thotë se presin që Osmani ta respektojë rolin kushtetues dhe ta dëgjojë opozitën rreth datës së zgjedhjeve.
“Ka qenë kryetari i LDK-së në takim. Ka prezantuar edhe qëndrimin e LDK-së. Ne presim që Presidentja të respektojë rolin kushtetues dhe ta dëgjojë opozitën”, tha Haziri.
Ndërsa, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, në një prononcim për GazetaBlic, thotë se nëse është e nevojshme do të dërgojnë komentet e tyre brenda afatit të përcaktuar nga presidentja.
Ai thekson se është e rëndësishme që data të zgjidhet në përputhje me Kushtetutën dhe rregullat zgjedhore, ku potencon se AAK ka kërkuar që zgjedhjet të mbahen me 26 janar 2025.
“Do të vlerësojmë situatën dhe nëse është e nevojshme, do të dërgojmë komentet tona brenda afatit të përcaktuar nga Presidentja. Jemi gjithmonë të gatshëm për të kontribuar në një proces të drejtë dhe transparent zgjedhor. AAK ka kërkuar që zgjedhjet të mbahen me 26 Janar 2025. Megjithatë, e rëndësishme është që data të zgjidhet në përputhje me Kushtetutën dhe rregullat zgjedhore, duke marrë parasysh edhe situatën aktuale politike dhe shoqërore në vend”, tha ai.
Deputeti shton se në këto zgjedhje objektivi kryesor i AAK-së është që të dalin sa më të fuqishëm.
“Ne presim që këto zgjedhje të jenë një reflektim i vullnetit të qytetarëve dhe një mundësi për të forcuar demokracinë në vend. Objektivi kryesor është që ne si AAK të dalim shumë të fuqishem në këto zgjedhje”, deklaroi deputeti Pal Lekaj.
Ndryshe, kujtojmë që nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka marrë askush pjesë në takim me presidenten./Gazeta Blic/