Lajme

“LDK dha mesazh se Kosova është mbi pushtetin – me tri ministri, ajo parti dhe elektorati i saj do të përpiheshin nga VV-ja”

08/13/2026 22:18
nga:G B

LDK ka vendosur të heq dorë nga të gjitha pozitat, por të diskutojnë vetëm për çështjen e presidentit dhe zgjedhjen e një presidenti që përfaqëson interesat e Kosovës.

Kështu deklaroi sot kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas një takim mbi 3 orë me deputetët e kësaj partie.

Ai tha se LDK nuk është dekor i pushtetit e as alibi për dështim.

Abdixhiku u shpreh se janë të gatshëm që të diskutojnë për presidentin, i cili duhet të jetë jopartiak, për çka i ftoi edhe partitë tjera që të bashkohen dhe të diskutojnë, në mënyrë që të evitojnë zgjedhjet.

Por, si shihet ky qëndrim i LDK-së?

Ish deputeti i VV-së, Fatmir Humolli, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se me ato ministri të ofruara nga VV, LDK dhe elektorati i saj do të përpiheshin nga VV-ja.

“Praktika politike e kreut politik të VV-së është shikuar nga LDK-ja si shfrytëzues e jo respektues. Ministritë në Qeveri do të ishin jo të sigurta që të përfundojnë mandatin me dinjitet, kjo do të bënte që LDK-ja dhe elektorati i saj të përpiheshin nga VV-ja”, ka vlerësuar ai.

Ndërsa, analisti politik, Arbnor Sadiku, për Gazeta Blic ka theksuar se LDK dha mesazh se Kosova është mbi pushtetin dhe kjo e dallon këtë parti nga tjerat.

“LDK-ja dhe Abdixhiku po japin një mesazh të qartë: Kosova është mbi pushtetin. Të jesh i gatshëm t’ia lësh të gjitha pushtetet LVV-së, vetëm që shteti të mos bjerë në krizë, është përgjegjësi politike dhe demokratike. Kjo është ajo që e dallon një parti shtetformuese nga një parti e etur vetëm për pushtet”, ka deklaruar Sadiku./Gazeta Blic/

Abdixhiku me adresim të ri: Nga ky moment askush s’ka të drejtë të vonojë krijimin e institucioneve

Abdixhiku: LDK heq dorë nga posti i presidentit, qëndrojmë në opozitë