Në kulmin e festimeve për triumfin në Superkupën e Italisë, kapiteni i Interit, Lautaro Martinez gjen kohë të merret edhe me median, këtë herë për të korrigjuar një fjalim, që ‘Gazzetta Dello Sport’ kishte vënë në gojën e tij.
E përditshmja sportive italiane kishte shkruar një fjalim, që pretendonte se Lautaro e kishte mbajtur para skuadrës në avion, ndërkohë që Interi ishte duke u kthyer nga Arabia Saudite, por sulmuesi argjentinas e përgënjeshtroi menjëherë.
“Jam krenar që jam kapiteni i një skuadre si kjo. Tani të mos ulim tensionin, pasi kjo ishte vetëm një nga etapat e rrugëtimit tonë”, ishin fjalët që gazeta italiane pretendonte se Lautaro u kishte thënë shokëve të skuadrës.
I menjëhershëm reagimi i argjentinasit, që komentonte: Më falni, por a kam bërë intervistë me ju në avion? Çfarë thoni? Mos shpikni më fraza që nuk kanë dalë nga goja ime”.
Fill pas komentit të argjentinasit, ‘Gazzetta Dello Sport” fshiu postimin, duke pranuar në heshtje se ka bërë një autogol.