Sporti

Lautaro Martinez motivon tifozët para ndeshjes me Juventusin

11/24/2023 10:25
nga:Mergim Rreci

Pas fitores historike në “Maracana” kundër Brazilit, Lautaro Martinez kërkon suksesin edhe në Torino përballë Juventusit. Kapiteni i Interit u aktivizua 12 minuta në triumfin 0-1 të Argjentinës në Rio De Janeiro.

Tashmë fokusi i golashënuesit më të mirë të këtij sezoni në Serie A është te derbi i Italisë. Juventus-Inter është programuar për të dielën në mbrëmje (20:45), ndërkohë që për të gjithë tifozët shqiptarë vjen live në SuperSport 2.

Zikaltrit kryesojnë kampionatin italian me 2 pikë më shumë se “Zonja” e Max Allegrit. “U kthyem. Tani të përqendrohemi për t’u përgatitur për ndeshjen e së dielës”, shkruan Lautaro në rrjetet sociale.

26-vjeçari e ka filluar në mënyrë të shkëlqyer sezonin e parë si kapiten i Interit, teksa numëron 14 gola mes Serie A dhe Champions League. Dhe 2 asiste.

Derbi i Italisë po pritet me emocione të forta. Përveçse një duel i zjarrtë dhe tepër i luftuar, dy skuadrat historike po garojnë mes tyre edhe për titullin kampion.