Të martën, Lautaro Martinez ka shënuar një nga dy golat për Interin ndaj Bayern Munichut (1:2). Ky ishte goli i tij i shtatë në Champions League këtë sezon.
Në Mynih, Interi tregoi karakter dhe cilësi për t’i dhënë fund serisë së Bayernit prej 22 ndeshjesh pa humbje në shtëpi në Champions League. Goli i parë i natës erdhi nga Lautaro – kur ai përdori shkëlqyeshëm pjesën e jashtme të këmbës së djathtë për të shënuar. Ky gol e afroi atë me një tjetër legjendë të Interit, Samuel Eto’o, lojtari i fundit që ka shënuar të paktën shtatë gola në një turne të vetëm (2010/11). Lautaro tani ka 22 gola në garat evropiane, duke u barazuar me Roberto Boninsegna, por vetëm Altobelli ka një rekord më të mirë me 35 gola.
Pas ndeshjes, Lautaro tha: “Goli im? Isha i lumtur sepse pashë hapësirën. Marcus bëri një pasim të jashtëzakonshëm. Doja të gjuaja me këmbën e majtë, por më pas ndryshova mendje dhe, për fat të mirë, shënova një gol fantastik”, tha ai.
/GazetaBlic Sport


