Lajme

Laureatja e Çmimit Nobel për Paqe: Iranianët nuk kanë çfarë të humbasin

01/01/2026 16:36
nga:G B

Mijëra iranianë kanë protestuar gjatë kësaj jave kundër rritjes së kostos së jetesës dhe për gjendjen e rëndë ekonomike të vendit.

Protestat për shkak të rritjes së inflacionit dhe zhvlerësimit të monedhës kombëtare iraniane, rial, nisën me dyqanxhinjtë në Teheran të cilët mbyllën bizneset e tyre më 28 dhjetor. Revolta ka vazhduar çdo ditë, duke u përhapur në disa universitete në kryeqytetin iranian, po ashtu edhe në zonat e tjera në mbarë shtetin.

Forcat e sigurisë iraniane kanë reaguar herë pas here duke përdorur gaz lotsjellës dhe shkopinj, megjithëse presidenti Masud Pezeshkian ka premtuar se Qeveria do të marrë “vendime të reja” të cilat, sipas tij, do të përmirësojnë situatën ekonomike të iranianëve.

Shirin Ebadi, e cila u nderua me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2003 për përpjekjet e saj për të sjellë demokracinë dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut në Iran, foli me Radio Farda të Radios Evropa e Lirë përmes telefonit më 1 janar mbi atë se çfarë i nxiti bashkëkombësit e saj të përballen me autoritetet dhe çfarë i bën këto protesta të ndryshme nga ato më të mëparshmet.

Radio Farda: Sipas jush, sa të rëndësishme janë protestat në Iran dhe çfarë mesazhi po përcjellin?

Shirin Ebadi: Protestat e fundit shfaqin një realitet të qartë: shumë iranianë kanë vendosur se duhet t’i jepet fund establishmentit aktual – me çdo kusht dhe sa më shpejt që të jetë e mundur – para se vendi që ata duan të shkatërrohet edhe më shumë. Irani po përballet me mungesë të madhe të ajrit të pastër, të ujit dhe energjisë dhe njerëzit po përballen me vështirësi mbijetese.

Siç e ka pranuar edhe vetë presidenti, shteti ka pasuri të jashtëzakonshme, por populli i tij është i uritur. Përgjegjësia për këtë situatë bie drejtpërdrejt mbi establishmentin – nga qendrat kryesore të pushtetit deri te zyrtarët e tij të pafuqishëm, përshirë edhe vetë presidentin. Të gjithë e ndajnë fajin për varfërinë dhe vuajtjet që u janë imponuar një kombi që dikur kishte begati.

Radio Farda: Si janë ndryshe këto protesta nga më të mëparshmet?

Shirin Ebadi: Ajo që e dallon këtë valë protestash nga më të mëparshmet është vetëdija në rritje brenda establishmentit se represioni dhe vrasja më nuk funksionojnë. Përdorimi i forcës ndaj njerëzve që nuk kanë asgjë për të humbur vetëm do të rrisë zemërimin e publikut – është sikur t’i hedhësh benzinë zjarrit.

Njerëzit nuk kanë më çfarë të humbin, nuk e përballojnë më. Tavolinat e tyre janë bosh dhe uria ka ushtruar presion kaq të madh sa që ata kanë humbur shpresën për jetën. Regjimi e kupton këtë dhe nuk dëshiron të hedhë benzinë mbi zjarr.

Njerëzit nuk kanë çfarë të humbasin, nuk mund të durojmë më. Tryezat e qytetarëve janë bosh dhe uria iu ka bërë aq presion të madh njerëzve sa ata kanë humbur shpresën për jetë. Establishmenti e kupton këtë dhe nuk dëshiron që t’i hedhë benzinë zjarrit.

Radio Farda: Zyrtarët iranianë kanë thënë se kërkesat ekonomike të njerëzve janë legjitime, teksa kanë paralajmëruar kundër protestave ndaj establishmentit. A mendoni se njerëzit shohin ndonjë dallim mes këtyre dy gjërave?

Shirin Ebadi: Politikat e gabuara të Republikës Islamike dhe korrupsioni kanë krijuar varfëri dhe vuajtje për popullin. Prandaj, kur njerëzit thonë se tavolinat e tyre janë bosh, kjo sjell turp për këtë establishment. Kur ne themi se njerëzit janë të uritur, kjo do të thotë se establishmenti duhet të ndryshojë.

Për 47 vjet, kjo është ajo që kanë bërë për ta kthyer Iranin, që dikur ishte i begatë, në situatën aktuale. Mos harroni se ditën kur u krijua Republika Islamike, dollari ishte 7 tomanë. Tani kursi i dollarit është mbi 135.000 tomanë. Çfarë e shkaktoi këtë? Papërshtatshmëria e establishmenti, korrupsioni i politikanëve, privilegjet që ata kanë krijuar për veten dhe familjet e tyre.

Radio Farda: Protesta kundër establishmentit kanë ndodhur në Iran për vite me radhë, dekada të tëra, ndërsa hendeku midis popullit dhe autoriteteve është zgjeruar. Nga ana juaj, ku mendoni se do ta çojë Irani kjo rund aktual i protestave?

Shirin Ebadi: Shpresoj që këtë herë populli të fitojë, establishmenti të rrëzohet dhe njerëzit të realizojnë dëshirën e tyre të kamotshme për të vendosur për të ardhmen e tyre përmes një referendumi nën mbikëqyrjen e OKB-së. Establishmenti ka humbur fuqinë dhe vullnetin për të shtypur sepse e di se vrasja e njerëzve, si gjatë protestave të mëparshme, do të ishte si të hedhësh benzinë mbi zjarrin e zemërimit të tyre.