Lajme

Laura Kryeziu: Përgjegjësia kryesore për grevat në arsim i takon qeverisë

09/15/2022 22:08
nga:G B

Opinionistja, Laura Kryeziu në emisionin “Rubikon” me Adriatik Kelmendin në Klan Kosova ka folur në lidhje me atë se kush është përgjegjës për mosmarrëveshjet Qeveri-Sindikata.

Ajo situatën aktuale e ka konsideruar si jashtëzakonisht shqetësuese dhe polarizuese si dhe është shprehur se këtë ajo e sheh si një problem zinxhiror.

“Besoj se situata është jashtëzakonisht shqetësuese, është polarizuese, e pamë sot edhe vet reflektimin në parlament, besoj që një diskutim të tillë nuk e kemi parë një kohë të gjatë në parlamentin e Kosovës. Mirëpo, unë e shoh këtë si një problem zinxhiror, nuk është vetëm problemi i barrikadimit të sindikatës dhe qeverisë në mos gjetjen e zgjidhjes, por duke marrë parasysh që kemi krizë të madhe ekonomike, inflacion i cili është i papërballueshëm për shumë familje, zakonisht pakënaqësitë mblidhen rreth një kauze e cila mund të jetë edhe kauza e SBAShK-ut, ose edhe Këshillit Grevist në këtë rast”, tha ajo.

Kryeziu tha se viteve të fundit ka pasur shumë probleme në arsim, fillimisht për shkak të pandemisë, e tani situata e krijuar nga greva, përcjell Klankosova.tv.

“Dua t’i jap kreditë shumë prindërve, besoj qe jemi popull shumë i durueshëm, në aspektin që kur shohim se çfarë dëmi u bëhet fëmijëve tanë, është me të vërtetë një situatë kur ne kemi dal nga pandemia dhe kemi humbur aq shumë gjatë pandemisë. Pra, çdo vit po kemi aq shumë probleme në sistemin e edukimit, saqë një ditë e humbur është problem shumë i madh, e mos të flasim nëqoftëse e parashohim që kjo grevë mund të zgjasë edhe më tepër”, tha Kryeziu.

Tutje, ajo u shpreh se në aspektin institucional përgjegjësia kryesore i takon qeverisë dhe se edhe në këtë situatë siç u shpreh ajo, ka pasur mungesë transparence nga ana e qeverisë.

“Në aspektin institucional, nuk kemi çka me diskutu, e dimë shumë mirë që përgjegjësia kryesore i takon qeverisë. Problemi kryesor i përgjegjësisë të cilën e ka qeveria është diskursi ose klimën të cilën e krijoj karshi grëvistëve dhe SBAShK-ut, e cila mendoj që e përshkalloi situatën në të cilën tani ky barrikadim bëhet edhe shumë më i madh. Ne sot dëgjuam raportime që kanë pasur diku 30 takime, ne nuk e dimë, e sidomos për këto takime qeveria do të duhej të ishte shumë më transparente e së paku vet mësimdhënësit e prindëerit ta dinë që diçka është duke ndodhur. Ne të vetmin informacion që e kemi marrë është se SBAShK-u apo Këshilli Grevist nuk është duke u takuar me kryeministrin”, u shpreh tutje ajo.