Lajme

Latifi: Nëse përmirësohet situata epidemiologjike, do të hiqen të gjitha masat

02/11/2022 08:50
nga:Y I

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka folur për gjendjen e shëndetësisë në Kosovë, çështjen e specializantëve, masat antiCOVID, për funksionalizimin e spitalit të ri të Pediatrisë etj.

Latifi ka folur edhe për kthimin e profesionistëve shëndetësor që kanë ikur jashtë vendit, për kushtet e punëtorëve shëndetësor, për spitalin e Prishtinës, etj.

Shëndetësisë i duhet transformim që ka në qendër të vëmendjes pacientin

Ministri Latifi ka deklaruar se për disa vite shëndetësinë në Kosovë do ta vendosin në binarët që duhet, teksa siç thotë ai qendra e vëmendjes do të jetë pacienti.

“Këtu ka shumë punë, por në dy-tre muajt e ardhshëm, e në dy-tri vjetët e ardhshme shëndetësinë do ta qesim në atë binarin që na duhet”, theksoi Latifi.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, në sistemin që ai e drejton tash e dy muaj, duhet të bëhet transformim e jo reformim.

“Ky transformimi duhet me qenë ku në qendër të vëmendjes do ta ketë pacientin. Duhet me u bazu në evidencë, në të dhënat që i kemi, duhet me u orientu në kërkime shkencore dhe me u fuqizu e udhëheqë nga teknologjia. Nëse nuk e bëjmë këtë nuk do të kemi transformim të shëndetësisë së Kosovës”, thekson ministri.

Po ashtu, ai ka bërë thirrje që të gjithë të jenë të përgjegjshëm dhe shëndetësia të jetë prioritet kombëtar e shtetëror.

“Ne si kolektiv na duhet me qit shëndetësinë si prioritet kombëtar, me prioritet shtetëror. Nëse nuk e bëjmë këtë, ne po humbim kohën. Po sillemi në rreth dhe po menaxhojmë operacione të mëdha me diçka veç sa me ndal gjakun. Na duhet transformim, jo reformim, por transformim”, shpreh Latifi.

Megjithatë, sipas tij, puna e madhe që duhet bërë për transformimin e shëndetësisë merr kohë.

Ministri u shpreh se duhet kthyer përgjegjësia tek profesionistët shëndetësor, e po ashtu edhe autoriteti i tyre.

“Çështja më e rëndësishme që ka me qenë në zhvillimin e shëndetësisë në vitet e ardhshme e që kjo nuk mund të bëhet brenda muajve është me i kthy dy elemente të rëndësishme të punëtorëve shëndetësor. Me kthy përgjegjësinë tonë, ai mjek, punëtorë shëndetësor e administrator, por të njëjtën kohë me kthy edhe autoritetin e mjekut, atë të infermieres, sepse ne të tjerët kemi shumë dëshira, e kur je i sëmurë e ke vetëm dëshirën me u shëru. Por, këto nuk bëhen me fjalë, e ndoshta as me ligj, por këtë bëhen me dedikim individual dhe kolektiv të secilit prej nesh”, tha ministri Latifi për Telegrafin.

Specializantët me vetëfinancim do të mbesin të rregullt

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka deklaruar se specializantët me vetëfinancim do të mbesin të rregullt në punë.

Në “Përballje”, Latifi deklaroi se nuk do t’i thonë specializantëve se përfundojnë në gusht dhe se ata nuk janë të interesuar t’i largojnë specializantët me vetëfinancim.

“Kisha pas dëshirë të madhe që kjo kontrata kurrë mos me u përmend më derisa ata të mbarojnë specializimet. Qeveria e Kosovës nuk është e interesuar të lëmë specializatët të cilët i kemi pranuar. Ata nuk kanë me dal prej punës, ne nuk do t’u themi që jeni deri në gusht edhe kjo mbaron, ata do të mbesin të rregullt”, tha Latifi.

Ai tha se specializantë nga një njësi e caktuar klinike ka shumë më shumë sesa që duhet.

“Kemi specializantë në një disiplinë klinike më shumë sesa duhet. Nuk na duhen specializantë vetëm për një lëmi të caktuar, prandaj ndoshta duhet ta bëjmë një ridestinim në bazë të nevojave. E në anën tjetër e kemi një grumbullim të madh të specializantëve dhe specialistëve në QKUK ndërkaq në spitale rajonale nuk ka mjek”, shpjegoi ministri.

Ai tha se mund të ketë nevojë për specializantë si krah pune, por siç tha ai duhet të përgatiten specializantët.

Me përmirësimin e situatës epidemiologjike, do t’i heqim të gjitha masat kufizuese

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se masat kufizuese anti-COVID që kishin miratuar para disa javësh janë keqkuptuar shumë, derisa tha se nëse vazhdon situata epidemiologjike të përmirësohet atëherë do të hiqen të gjitha masat.

Latifi ka komentuar masat kufizuese që kishin vendosur më herët, ku qytetarët të cilët kanë tentuar të hyjnë në territorin e Kosovës është dashtë të posedojnë tri vaksina, apo dy vaksina testin negativ për coronavirus.

“Janë ndal për shkak se nuk kanë pasur tri vaksina, ose dy vaksina plus testin. Ai që ka pasur tri vaksina ka hyrë lirshëm, pa asnjë telashe. Shtetet tjera duke futur këtu edhe Maqedoninë e Veriut e ka shëndetësinë në nivel më të mirë se ne, spitalet më në nivel se ne, përndryshe ne nuk kishim shku shumica e kosovarëve në Maqedoninë e Veriut”, është deklaruar ai.

Ministri Latifi ka thënë se asnjë pacienti të sëmurë nuk i është ndaluar hyrja në Kosovë.

“Asnjë i sëmurë nuk i është ndaluar hyrja në Kosovë. Gjendjen qysh e kemi unë besoj që ka me u përmirësuar, e nëse përmirësohet dukshëm ne do t’i heqim të gjitha masat”, theksoi ai.

Latifi ka pohuar se të gjitha vendimet që i marrin janë në baza shkencore.

Gjatë muajit mars do të funksionalizohet Spitali i Pediatrisë

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka deklaruar se Spitali i Pediatrisë, i cili është donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe, do të funksionalizohet gjatë muajit mars.

Ai ka thënë se është falënderues i madh i Emirateve të Bashkuara Arabe për ndërtimin e këtij spitali.

“Spitali i Pediatrisë, është në fazën e fundit, mund të ju them që në mars do të jetë në funksion. Unë jam falënderues i madh i Emirateve të Bashkuara Arabe për ndihmën që kanë dhënë, duhet t’i falënderojmë të gjithë ata që kanë marrë pjesë në ndërtimin e këtij spitali”, është shprehur ai.

Latifi po ashtu ka folur edhe për sigurimet shëndetësore, duke thënë se sa më shpejtë që është e mundur do të bëjnë sigurimet shëndetësore për qytetarët.

“Unë jam shumë i bindur që sigurimet shëndetësore janë prioritet i joni, kur kanë me fillu sigurimet shëndetësore është çështje kohe. Sa më shpejtë që është e mundur ne duhet të bëjmë sigurimet shëndetësore, kjo ndikon edhe në zhvillimin e spitaleve private por edhe të shtetit”, potencoi ai.