Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka reaguar pas incidenteve të ndodhura në palestrën “Mizahir Isma” gjatë finales së Superkupës së Kosovës në basketboll, mes Trepçës dhe Bashkimit.
Latifi ka dënuar ashpër sjelljet e dhunshme dhe dëmtimin e pronës publike, duke theksuar se rivaliteti sportiv nuk duhet të shndërrohet në fyerje, përplasje dhe vandalizëm.
Sipas tij, situata është edhe më shqetësuese për faktin se incidentet ndodhën vetëm një ditë pas bashkimit të tifozërive në mbështetje të vlerave të UÇK-së dhe kërkesës për “Liri për çlirimtarët!”.
Kryetari i Rahovecit ka kërkuar që Federata e Basketbollit të Kosovës dhe klubet Trepça e Bashkimi të marrin përgjegjësi për mangësitë e evidentuara në organizim, veçanërisht sa i përket sigurisë dhe kontrollit në hyrje.
Latifi ka bërë të ditur gjithashtu se dëmet e shkaktuara në ulëse, infrastrukturë dhe hapësirat e palestrës nuk duhet të mbulohen nga buxheti i Komunës së Rahovecit dhe taksapaguesit.
“Organizatorët dhe palët përgjegjëse duhet të marrin përsipër kompensimin e dëmeve të shkaktuara”, ka deklaruar ai.
Në reagimin e tij, Latifi ka falënderuar Policinë e Kosovës për ndërhyrjen dhe angazhimin për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Në fund, ai ka përcjellë një mesazh për tifozët dhe klubet kosovare: “Ta respektojmë kundërshtarin dhe ta ruajmë pronën publike! Në parket le të fitojë më i miri përmes lojës së ndershme, ndërsa në tribuna le të fitojë kultura dhe respekti reciprok!”
Latifi ka theksuar se Rahoveci do të vazhdojë të jetë mikpritës i sportit, por ka nënvizuar se mikpritja nuk nënkupton tolerim të vandalizmit dhe dëmtimit të imazhit të qytetit.
/GazetaBlic Sport/


