Ilir Deda, analist politik dhe ish deputet i Kuvendit të Kosovës, në një intervistë për Blic Interview me Astrit Gashin, ka folur për situatën politike në vend, Asociacionin, dinarin, marrëdhëniet me ndërkombëtarët e largimin nga Kosova prej më shumë se katër vitesh.
Deda fillimisht ka treguar për punën me të cilën është marrë pas largimit nga politika dhe nga Kosova.
“Pas vendimit për të mos kandiduar në politikë, kam pasur fatin të shkoj në Këshill për bashkëpunim rajonal më Sarajevë, ku kam punuar në planin e ri të procesit të Berlinit që është tregu i përbashkët rajonal, si dhe i kam udhëhequr disa marrëveshje ndërkombëtare, negociatat e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Pas 4 vite e diçka e përfundova punën atje dhe u ktheva në Kosovë”, thotë ai.
Për arsyet që i pati dhënë dhe publikisht për largimin, Deda thotë se e ka parë më të ndershme të tërhiqet në atë kohë, se sa të rrinte e të ishte i hidhëruar se pse nuk po bëhet mirë.
“Arsyet janë ato që i kam dhënë publikisht. Unë kam qenë në atë kohë për një listë të një opozite të bashkuar të atëhershme, me një program reformist, ku ndryshimi pozitiv do të ishte i hovshëm dhe unë e kam parë që nuk as potencial që ajo të bëhet, as vullnet nga opozita e atëhershme dhe e kam parë që unë më s’kam vend në politikën e Kosovës dhe ka qenë më e ndershme që unë të tërhiqem, se sa të rri aty e të jem i hidhëruar se pse nuk po bëhet më mirë”, shprehet ish deputeti.
Ai ka folur për rrëzimin e qeverisë në kohë pandemie, që vlerëson se ka qenë e pakuptimtë për këdo dhe pasojat e atij rrëzimi i kanë bartur partitë pastaj në zgjedhjet e 2021.
“Rrëzimi i Qeverisë në kohë pandemie ka qenë një precedant, ka qenë e pakuptimtë për këdo, si në një gjendje të jashtëzakonshme emergjente globale dhe me pasoja në Kosovë, bie qeveria. Po pasojat politike janë dhënë nga ai veprim, që janë zgjedhjet të cilat u mbajtën një vit më vonë. Mendoj që Kosova shumë pak ka arritur ta përballojë pandeminë, shumë më mirë se sa shumë vende tjera, sidomos duke marrë parasysh dobësinë e sistemit shëndetësor në Kosovë dhe për fat të mirë s’kemi pasur pasoja shumë të mëdha në humbjes së jetës së njerëzve”, vlerëson Deda.
E, se a ishte rezultati i VV-së i shtyrë nga vendimi për rrëzimin e qeverisë, ish deputeti thekson se ishte kombinim i shumë faktorëve, ku përmend dhe Vjosa Osmanin që e ka mundësuar atë fitore.
“Mendoj që ishte kombinim i faktorëve aq sa kam mundur ta përcjell unë, rrëzimi si i tillë nuk u pranua nga qytetarët sepse ata kishin treguar se dëshironin një qeveri të dikontinuitetit, me votë të vitit 2019. Njëjtë ka qenë edhe një lloj mobilizimi shoqëror për përfundim të aktivitetit politik të një gjenerate politike e cila u pensionua pas zgjedhjeve të shkurtit 2021 dhe hapje rrugë për një qeveri me duar të pastra, progresive, e fokusuar në zhvillim, ashtu më është dukur dhe ashtu ende besoj që ky ka qenë përcaktimi i qytetarëve dhe nuk ka qenë vetëm Vetëvendosje, ka qenë dhe kombinimi Vjosa Osmani e cila e ka mundësuar atë fitore”, shton ai.
Analisti potencon se nga shkurti 2021 ka ndodhur ndryshim i gjeneratave në politikë.
“Por tash prej perspektivës së sotme, çka mund të themi për shkurtin 2021 është që ka qenë data kur ka ndodhur ndryshimi, tranzicioni i gjeneratave brezave politikë në Kosovë, që mund të jetë si një prej vendimeve më të rëndësishme në politikën e Kosovës. Pse? Sepse ne e kemi, është Glauku, Albini, Vjosa në krye të shtetit, në opozitë e kemi Lumirin, Memlin, kjo është diskontinuitet dhe i jep një peshë shumë të madhe një brezi politik që t’i zgjidhë problemet e Kosovës, e për fat të keq probleme Kosova ka ende shumë”, deklaron Ilir Deda./Gazeta Blic/