Sporti

Largimi i simboleve dhe flamurit të Kosovës, FFK thotë ndryshe në komunikatën e saj

6 ditë më parë
nga:Mergim Rreci

Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar për pjesëmarrjen në Kongresin e Beogradit.

Në njoftimin e lëshuar nga shtëpia më e madhe e futbollit në vend thuhet se pjesëmarrja ishte e barabartë si të gjitha vendet e tjera, por që në fakt, pamjet e publikuara treguan një gjë tjetër, transmeton GazetaBlic Sport.

“Federata e Futbollit të Kosovës ishte pjesë e Kongresit të 49-të të UEFA-s, mbajtur në Beograd, ku delegacioni ynë, i kryesuar nga presidenti Agim Ademi dhe u.d. sekretari i përgjithshëm, Markus Weidner, përfaqësoi Kosovën me dinjitet dhe në përputhje të plotë me statusin tonë si anëtare e barabartë në UEFA dhe FIFA”, thuhet fillimisht.

Tutje, FFK e pranoi se simbolet u larguan, por sipas tyre kjo gjë ndodhi në fund kur presidenti i FFK-së nuk ishte më në sallë.

“Sa i përket pretendimeve për largimin e flamurit shtetëror të Kosovës gjatë punimeve të Kongresit, theksojmë se Kosova ishte e përfaqësuar zyrtarisht me simbolet e saj shtetërore, njësoj si çdo anëtare tjetër e UEFA-s. Çdo veprim i mundshëm në përfundim të mbledhjes, kur presidenti i FFK-së nuk ishte më në sallë, nuk e ndryshon faktin se Kosova ishte dhe mbetet pjesë e barabartë e këtij organizimi, ashtu siç është në familjen e futbollit evropian dhe botëror”.

Ja njoftimi i plotë:

Federata e Futbollit të Kosovës ishte pjesë e Kongresit të 49-të të UEFA-s, mbajtur në Beograd, ku delegacioni ynë, i kryesuar nga presidenti Agim Ademi dhe u.d. sekretari i përgjithshëm, Markus Weidner, përfaqësoi Kosovën me dinjitet dhe në përputhje të plotë me statusin tonë si anëtare e barabartë në UEFA dhe FIFA.

Në këtë ngjarje të rëndësishme të futbollit evropian, ashtu si çdo federatë tjetër anëtare, Kosova u prezantua me simbolet e saj shtetërore, teksa konfirmoi edhe një herë përkushtimin e saj për zhvillimin e futbollit dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare.

Deklaratat e pabaza të Federatës së Futbollit të Serbisë, që synuan ta paraqesin pjesëmarrjen tonë si diçka jashtë interesit të futbollit, nuk kanë asnjë bazë dhe vetëm sa dëshmojnë tendencën e vazhdueshme të përzierjes së politikës në sport nga ana e Serbisë.

FFK-ja gjithmonë ka përfaqësuar interesat e futbollit të Kosovës dhe do të vazhdojë të punojë për zhvillimin dhe avancimin e lojës së futbollit, duke mbajtur marrëdhënie të shkëlqyera me institucionet ndërkombëtare.

E kuptojmë se prania e delegacionit të Kosovës në kryeqytetin serb, si dhe fakti që flamuri i shtetit tonë valëviti përkrah atyre të shteteve të tjera, vazhdon të jetë i papranueshëm për politikën dhe një pjesë të opinionit në Serbi. Megjithatë, shteti i Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe sa më shpejt që ta pranojnë këtë, aq më shpejt do të kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve sportive dhe shtetërore.

Sa i përket pretendimeve për largimin e flamurit shtetëror të Kosovës gjatë punimeve të Kongresit, theksojmë se Kosova ishte e përfaqësuar zyrtarisht me simbolet e saj shtetërore, njësoj si çdo anëtare tjetër e UEFA-s. Çdo veprim i mundshëm në përfundim të mbledhjes, kur presidenti i FFK-së nuk ishte më në sallë, nuk e ndryshon faktin se Kosova ishte dhe mbetet pjesë e barabartë e këtij organizimi, ashtu siç është në familjen e futbollit evropian dhe botëror.

Sigurisht, si gjithmonë, persona të caktuar ndjekin agjenda kundër Kosovës dhe largojnë nga tavolina, madje edhe djegin flamurin e shtetit tonë (siç ndodhi mbrëmë në Beograd nga tifozë të klubeve serbe), por Kosova si shtet është dhe mbetet një realitet i pakthyeshëm. FFK-ja menjëherë do të paraqesë notë proteste në UEFA dhe institucionet tjera ndërkombëtare lidhur me këto veprime, që janë kundër vlerave që promovon UEFA.

Gjithsesi, edhe një herë ritheksojmë se Kosova u prezantua si e barabartë me të gjitha simbolet e saj dhe gjithçka ka shkuar sipas protokollit të UEFA-s deri në pjesën përfundimtare të punimeve.

FFK-ja falënderon UEFA-n për trajtimin e mirë dhe mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin e futbollit në Kosovë. Si gjithmonë, ne do të vazhdojmë të punojmë për ta forcuar futbollin tonë dhe për ta përfaqësuar Kosovën me dinjitet në arenën ndërkombëtare.

/GazetaBlic Sport/