Skuadra e Ballkanit assesi nuk po rahatohet me trajner që pas shkarkimit të Ismet Munishit.
Ismet Munishi kishte marrë drejtimin e FC Ballkanit me 8 qershor të vitit 2019, për ta udhëhequr ekipin për një vit e gjysmë – duke këndellur e transformuar totalisht klubin nga Suhareka, shkruan GazetaBlic Sport.
Nga një klub modest me jo shumë ambicie, Ismet Munishi e shndërroi klubin e Ballkanit, duke e bërë atë pretendent për Evropë. Por, presidenti i klubit të Ballkanit, Arsim Kabashi ndau rrugët me Ismet Munishin në vitin 2020, më saktësisht me 23 dhjetor.
Kur Munishi humbi vendin e parë me Ballkanin në sezonin 2020/21, Ballkani i ndau rrugët me të – duke falënderuar trajnerin që e ka ngritur klubin në një nivel tjetër.
Sidoqoftë, pas largimit të Munishit, Ballkanit veçse iu shtuan problemet, pasi tani nuk po mund të rahatohen me një trajner, i cili mund ta drejtojë ekipin për një kohë të gjatë.
Vendin e Ismet Munishit e zuri Bledi Shkëmbi. Trajneri nga Shqipëria mori drejtimin e Ballkanit me 27 dhjetor, katër ditë pas largimit të Munishit.
Megjitatë, ecuria e Shkëmbit nuk ishte aspak e mirë – teksa u largua tri xhiro pa përfunduar kampionati, apo më saktësisht me 6 maj 2020. Ky “eksperiment” nuk i doli mirë Ballkanit të “Cimës”, pasi klubi nuk ia doli të siguronte kualifikimin në garat evropiane, duke mos kapur dot objektivin e sezonit.
Pas përfundimit të sezonit 2020/21, Ballkani filloi të mendonte për emrin e ri të trajnerit, e që gjeti Bekim Isufin.
Isufi mori drejtimin e Ballkanit me 15 qershor, por aventura e tij tek “Xhebrailat” zgjati vetëm një gjysmë stinori. Ai e la ekipin në vendin e tretë në tabelë, vetëm dy pikë larg kreut të tabelës, ku për koiçidencë ndodhet ish trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, por tani me ekipin e ri, SC Gjilani.
Para pak çastesh, sot (21 dhjetor), Ballkani njoftoi për shkarkimin e trajnerit, Bekim Isufi, duke mbetur aktualisht pa trajner, teksa klubet po pushojnë – e pas pak ditësh do të fillojnë përgatitjet për stinorin pranveror.
Siç duket që nga largimi i Ismet Munishit, i pari i Ballkanit, Arsim Kabashi nuk po gjen rehati sa i përket trajnerëve…
/GazetaBlic Sport/


