Sporti

Laporta: Xavi i vendos vetë kushtet, tani të fitojmë Championsin

01/28/2024 23:46
nga:E K

Humbja me Villarealin shkaktoi tërmet te Barcelona, aq sa fill pas ndeshjes trajneri Xavi Hernandez paralajmëroi se do të largohet në fund të sezonit dhe se për këtë ka vënë në dijeni edhe drejtuesit e klubit.

Presidenti Joan Laporta ka reaguar fill pas deklaratës së Xavit, duke pranuar se palët kanë tashëm një marrëveshje dhe se trajneri meriton respekt për gjithë atë që ka bërë te Barcelona.

“Xavi më tha se do të largohej vetë në fund të sezonit, me kushtin që të mos shkarkohej më herët. E pranova, sepse është një kusht që e propozoi ai vetë dhe mbi të gjitha është një legjendë e klubit. Ai është i ndershëm dhe e do Barcelonën më shumë se kushdo”, u shpreh Laporta.

Ndonëse gjasat që skuadra të fitojë një titull deri në fund janë minimale, Laporta nuk dorëzohet dhe i vë syrin Championsit.

“Në kampionat jemi shumë larg dhe është e vështirë të kthehemi në garë, ndaj duhej të luajmë të gjithë mundësitë tona në Champions League. Duhet të bëjmë të gjithë maksimumin për të fituar këtë trofe”, tha Laporta.

Në fazën e 1/8-ave të Champions League, Barcelona do të sfidojë italianët e Napolit dhe deri atëherë Xavi ka shumë punë për të bërë në repartin e mbrojtjes.