Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, në një intervistë me Mundo Deportivo, e përmendi Superligën si një projekt që u pranua nga klubet më të mëdha evropiane në vitin 2021, por ato shpejt u tërhoqën, kryesisht nën presionin e tifozëve.
Megjithatë, ideja dhe projekti për Superligën mbeti gjallë dhe Laporta thotë se negociatat me UEFA-n janë duke vazhduar.
“Superliga u ngrit përsëri si temë, gjë që shkaktoi mosmarrëveshje, opinione të ndryshme dhe disa kontradikta. Gjithmonë jam përpjekur të luaj rolin e dikujt që ndërton ura midis Super Ligës dhe UEFA-s. Aktualisht jemi në një situatë ku ka komunikim midis Superligës dhe UEFA-s. Aleksander Ceferin ka emëruar njerëz të caktuar nga UEFA të cilët po flasin me përfaqësuesit e Super Ligës, me Bernd Reichart, drejtorin ekzekutiv të Super Ligës, dhe të gjithë ekipin e tij, i cili përfshin avokatë pranë klubeve që janë pjesë e Super Ligës”, tha Laporta.
“Ekziston një vendim nga Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian që konfirmon qëndrimin e Superligës dhe mendoj se kjo është e rëndësishme. Por është edhe më e rëndësishme që bota e futbollit të jetë e bashkuar. Për momentin shoh gatishmëri të madhe nga ana e presidentit. E përsëris, Ceferin është një person i aftë të cilit mund t’i besohet dhe kjo është pikërisht ajo për të cilën po punojmë”, përfundoi Laporta.
/GazetaBlic Sport/


