Borussia Dortmund ka njoftuar se sulmuesi Sebastien Haller është diagnostikuar me një tumor testikular.
Haller nuk u ndje mirë gjatë kampit stërvitor parasezonal vetëm disa ditë pas transferimit të tij prej 31 milionë euro nga Ajax në Dortmund, përcjell GazetaBlic Sport.
28-vjeçari nga Bregu i Fildishtë u kthye në Gjermani dhe iu nënshtrua testeve që i’u mundësuan mjekëve të diagnostikonin një tumor testikular.
Kjo nuk është e re në botën e futbollit, pasi italiani Acerbi u diagnostikua për herë të parë gjatë testeve të tij parasezonale me Sassuolo në korrik 2013.
Mjekët konstatuan disa parregullsi në analizat e gjakut dhe kërkuan ekzaminime të mëtejshme, të cilat gjetën tumorin.
Ai iu nënshtrua një operacioni për të hequr tumorin në Milano dhe ishte në gjendje të rikthehej duke luajtur përsëri më 15 shtator 2013.
Megjithatë, tumori u kthye në dhjetor 2013 dhe këtë herë u diagnostikua falë një testi doping të dështuar, i cili tregoi nivele jashtëzakonisht të larta të një hormoni.
Mosbalancimi i hormoneve u shkaktua nga tumori i testisit, kështu që Acerbi qëndroi jashtë pjesën tjetër të sezonit për t’iu nënshtruar trajtimit, përfshirë kimioterapinë, duke u rikthyer në verën e 2014-ës.
Acerbi vazhdoi të ketë një karrierë të fortë në Serie A dhe ndërkombëtare dhe aktualisht po luan për Lazio, në moshën 34-vjeçare.
/GazetaBlic Sport/


