Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk kanë marrë ende asnjë ftesë nga Kryeministri Albin Kurti, pas asaj që ka ndodhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), raporton GazetaBlic.
Kështu të paktën kanë bërë me dije burime të sigurta të GazetaBlic.
GazetaBlic ka tentuar të marrë edhe konfirmim zyrtar nga PDK dhe AAK, por të njejtit nuk kanë kthyer përgjigje dhe kanë bërë asnjë reagim deri tash në rrjetet sociale.
Ndërkohë, Kurti ka dërguar një letër Kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, për konsultime para konstituimit të Parlamentit, duke e ftuar atë në bisedime që mund të formojnë bazën për koalicionet e ardhshme.
Kurti i ka kërkuar Abdixhikut takim këtë javë, duke ia ofruar dy ditë dhe tri orare të ndryshme si opsione për takimin.
“Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00”, thuhet ndër tjerash në letrën që Kurti ia ka dërguar Abdixhikut.
Kujtojmë se, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se LDK-ja s’do të shkojë në koalicion me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Megjithatë, ai ka përjashtuar edhe mundësinë e koalicionit me partitë e tjera opozitare nëse LDK-së nuk i ofrohet posti i kryeminstrit.
Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit me 42.27 për qind të votave të fituara apo 48 ulëse në Kuvendin me 120 vende. Kjo nënkupton se kjo parti nuk mund ta formojë e vetme ekzekutivin e ri, për të cilin duhen 61 deputetë.
Pas VV-së, në zgjedhjet e 9 shkurtit, më së shumti vota fitoi Partia Demokratike të Kosovës (PDK) e pastaj LDK-ja. Mandat kanë siguruar edhe deputetë nga koalicioni parazgjedhor midis Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe NISMA.
Nga të gjitha këto parti opozitare, “vija të kuqe” për koalicion të mundshëm me LVV-në nuk ka vendosur vetëm Fatmir Limaj, kreu i Nismës.
Kurti dhe Limaj u raportua se kanë darkuar të premtën, për të diskutuar mundësinë e një koalicioni qeverisës.
Nga LVV-ja dhe nga NISMA nuk i janë përgjigjur interesimit të Gazetës Blic për këtë, duke mos e konfirmuar takimin.
Në mesjavë Kurti nisi publikisht përpjekjet për formimin e qeverisë së re. Në zyrën e tij në qeveri, ai i nisi diskutimet fillimisht me përfaqësues të partive politike të pakicave. Jo nga të gjithë mori konfimimin se do ta votonin një përbërje të qeverisë të cilën lideri i LVV-së mund ta prezantojë në Kuvend.
Seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet më 15 prill, siç ka vendosur presidentja Vjosa Osmani. Po atë ditë, LVV synon ta zgjedhë edhe qeverinë, siç ka deklaruar Kurti.
/GazetaBlic/