Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, dy vite më parë ka dërguar ankesë në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se dy deputetë të “Iniciativës Rome” janë zgjedhur në mënyrë të kundërligjshme me ndihmën e Listës Serbe.
Edhe pse pas dy javësh, bëhen dy vite nga koha kur kjo ankesë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, ende nuk është marrë asnjë vendim nga ky institucion.
“Gazeta Blic” ka dërguar pyetje në adresë të Gjykatën Kushtetuese me pyetjen se kur pritet të shpallet aktvendimi në lidhje me këtë çështje.
Të njëjtit në përgjigjen e tyre kanë deklaruar se nuk ka ndonjë afat të caktuar kushtetues-ligjor për vendimmarrje në këtë rast
“Kjo kërkesë para Gjykatës është dorëzuar bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe ndërlidhet me pretendime për shkeljen e të drejtave dhe lirive individuale të
parashtruesit përkatës. Gjykata është duke e shqyrtuar rastin, ndërsa nuk ka ndonjë afat të caktuar kushtetues-ligjor për vendimmarrje në këtë rast. Gjykata i trajton të gjitha kërkesat në bazë të procedurave standarde të parashikuara për shqyrtimin e tyre dhe kohëzgjatja e vendimmarrjes në kërkesat e parashtruara nuk varet
detyrimisht nga koha e regjistrimit të tyre, por nga kompleksiteti i çështjes që mund të ngërthejë një rast konkret”
Tutje në përgjigjen e tyre thuhet se Gjykata është duke e trajtuar këtë rast me përkushtim të lartë.
“Si çdo kërkesë individuale, Gjykata është duke e trajtuar edhe këtë rast me seriozitetin dhe përkushtimin më të lartë, dhe për vendimmarrjen e saj do të njoftohen me kohë të gjitha palët dhe opinioni” thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese raporton “Gazeta Blic”.
Një vendim pro Berishës nga Gjykata Kushtetuese, ka ngritur dilemën se Presidentja e vendit mund të rrëzohet nga detyra.
Avokati Skënder Musa, deklaroi për “Gazeta Blic” se nëse Gjyata Kushtetuese vërteton se dy deputetë janë zgjedhur kundërligjshëm atëherë e njëjta mund të rrëzohet.
“Nëse vërtetohet se dy deputetë të Parlamentit të Kosovës janë zgjedhë në mënyrë të kundërligjshme, atëherë në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës mund të kemi rrëzimin e presidentes pasi e njëjta është zgjedhur presidente me votat e atyre dy deputetëve dhe që në fakt ‘de juro’ nuk ka të drejtë ta ushtrojë asnjë minut pozitës e Presidentes.Është kusht ligjor që deputetët të jenë të zgjedhur në mënyrë të ligjshme kur votojnë për zgjedhjen e institucioneve shtetërore, përfshirë këtu edhe zgjedhjen e institucionit të Presidentit”, deklaroi Musa për “Gazeta Blic”