Alarmi për bombë në Aeroportin “Adem Jashari”, kishte ardhur në gjuhën ruse.
Kështu mëson Gazeta Blic nga burime brenda Prokurorisë së Shtetit.
”Alarmi për bombë ka ardhur në gjuhën ruse. Menjëherë pas marrjes së informatës, organet e rendit kanë dalë në vendin e ngjarjes”, tha ky burim.
Megjithatë, ky alarm doli të jetë i rremë, ashtu siç ndodhi edhe para disa javëve.
Policia ka njoftuar se menjëherë posa ka marrë informatën, ka dalë në vendngjarje, duke ndërmarrë masat e nevojshme për ta siguruar lokacionin, derisa ka evakuuar edhe personat që ndodheshin në aeroport.
Në komunikatën e policisë thuhet se puna në aeroport i është kthyer normalitetit dhe qytetarët e udhëtarë kanë vazhduar udhëtimet e tyre.
“Policia e Kosovës, pas verifikimit dhe ushtrimit të kontrollit në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, ku ishte raportuar për vendosjen e mjeteve shpërthyese, ka vërtetuar se këto informacione kanë rezultuar të jenë të rrejshme. Puna në aeroport i është kthyer normalitetit dhe qytetarët/udhëtarë kanë vazhduar udhëtimet e tyre. Policia e Kosovës, do të vazhdojë angazhimin e saj në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike”, thuhet në komunikatën e policisë.
Ndërkohë, sot edhe në shumë shkolla ka pasur alarme të rreme për bomba.
Sidoqftë, ende nuk ka të arrestuar nga Policia në lidhje me këto alarme që tash e sa kohë po paraljmërohen rrejshëm.
Alarm i rremë për bombë në Aeroportin “Adem Jashari”, policia del me detaje shtesë


