Sporti

Lajme të mira për Roberto Mancinin, një futbollist shumë i rëndësishëm gati për ndeshjen ndaj Austrisë

06/24/2021 16:57
nga:Mergim Rreci

Marco Verratti luftoi me kohën për të mos humbur Europianin dhe ia doli të rikuperohej për ndeshjen e fundit në grup, atë ndaj Uellsit, ku ndonëse pritej të luante vetëm pak minuta, përballoi një 90-minutësh të plotë.

Ndonëse ende jo në 100%-shin e tij, mesfushori vrapoi jo pak ndaj uellsianëve dhe ndihmoi në qarkullimin e shpejtë të topit, ndërsa forma e shfaqur duket se ka bindur Mancinin t’i japë sërish fanellën e titullarit për ndeshjen e fazës së 1/8-ave ndaj Austrisë, në plan për të shtunën në mbrëmje në stadiumin “Wembley”.

Por përfshirja në formacion e mesfushorit të Paris Saint Germain nuk do të jetë aspak e lehtë për trajnerin Mancini, pasi do t’i duhet të ulë në pankinë njërin mes Barelles dhe Locatellit, të dy futbollistë që kanë treguar se meritojnë të luajnë nga minuta e parë, me atë që kanë dhënë në ndeshjet e para.

Italia e mbylli në mënyrë perfekte fazën e grupeve, pasi mori 9 pikët e mundshme, duke fituar të tre ndeshjet, me një bilanc fantastik prej 7 golash të shënuar dhe asnjë të pësuar, duke shpallur njëkohësisht kandidaturën për të fituar Europianin.