Sporti

Lajme të këqija nga Katari për tifozët e Barcelonës, Al Sadd nuk dorëzohet për Xavin

10/30/2021 08:20
nga:Mergim Rreci

Presidenti Joan Laporta la të kuptohej se Xavi Hernandez do të jetë njeriu që do të marrë drejtimin e Barcelonës pas shkarkimit të Koeman, pasi zbuloi se flet prej dy muajsh me ish kapitenin dhe se gëzon respekt për punën e tij.

Megjithatë për të ulur disi entuziazmin e të gjithë atyre që duan Xavin trajner të Barcelonës, ka menduar klubi katariot Al Sadd, që nëpërmjet një komunikate zyrtare, ka sjellë në kujtesë faktin që spanjolli ka ende edhe dy vite kontratë me ta.

“Në përgjigje të lajmeve që qarkullojnë, drejtuesit e Al Sadd konfirmojnë se trajneri Xavi ka edhe dy vite kontratë me klubin tonë dhe është totalisht i përqendruar te ndeshjet e radhës, që janë shumë të rëndësishme për mbrojtjen e titullit kampion”, thuhet në deklaratën e Al Sadd.

Megjithatë mediat spanjolle kanë zbuluar se kontrata e Xavit me Al Sadd ka një klauzolë prishjeje, nëse në drejtim të katalanit vjen një ofertë nga klubi i Barcelonës.