Cult

Lajm i trishtë për artin! Ndahet nga jeta poeti shqiptar

07/06/2021 11:24
nga:G C

Ditën e sotme është ndarë nga jeta poeti dhe kineasti i shquar shqiptar, Petrit Ruka. Prej gati një viti poeti vuante nga një sëmundje në zemër, betejën me të cilën nuk arriti ta fitonte.

Lajmin e hidhur për ndarjen e tij nga jeta e kanë dhënë të afërmit dhe miqtë e Rukës. Në letërsinë shqiptare Petrit Ruka njihet si një nga poetët më të mirë, ndërsa ka marrë titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Me ikjen e tij letërsia humbet një nga burimet e mëdha të saj, që vazhdonte të mbante gjallë poezinë shqiptare.

Ai ka lindur në Tepelenë më 21.08.1954. Ai e ka theksuar shpesh ndikimin e fëmijërisë në poezinë e tij, duke na lënë hapësirë të përfytyrojmë fëmijën e zgjedhur nga poezia, atje në një fshat të Tepelenës, të zymtë, të ftohtë, gri nga gurët e shtëpive dhe të zi nga rrobat e grave.

Ka kryer studimet e larta për Gjuhë Letërsi Shqipe dhe studimet pasunuversitare pёr dramaturgji filmike, Akademia e Arteve të Bukura, Tiranё 1985 – 1986. Ka punuar si pedagog nё Shkollёn e Mesme tё Pёrgjthshme, Tepelenё 1976 – 1984. Skenarist dhe regjisor Kinostudio “Shqipёria e Re” dhe Alba Film Studio Tiranё.1986 – 1996. Drejtor nё Teatrin Kombëtar të Fëmijëve Tiranё 2000. Kryetar i Qëndrës Kombëtare Kinematografike Shqiptare 2000 – 2005.

Ruka u bë i njohur qysh me vëllimin poetik “Atdheu fillon tek zemra”, i cili mori çmimin kombëtar në vitin 1983. Prej atëherë ai ka botuar mbi 10 vëllime të tjera me poezi dhe disa dhjetëra skenarë filmash, dokumentarë e monografi. Ka realizuar me shume se 30 vepra kinematografike si skenarist dhe regjisor.

Petrit Ruka ka botuar:

“Rinia ime” vёllim, poezi, 1978; “Atdheu fillon tek zemrat” vёllim, poezi 1983; “Mirupafshim, hënë e vendlindjes!” vёllim, poezi, 1990; “Vërtitu, Kokë e prerë!” vёllim, poezi, 2000; “Në zemër bie shi…” vёllim, poezi, 2003; “Shtatë mijë shirat e mi” poezi të zgjedhura, 2008; “Kalorësi mbi det“ esse monografike për Kadri Roshin 2009.

Ai gjithashtu ka realizuar më shumë se 30 filma, ku ndër të tjera ka qenë skenarist për filmat “Një djalë dhe një vajzë”, “Lumi që nuk shteron” etj.