Lajme

“Lajm i papritur, patëm shpresa”, analisti tregon shkaktarin për mos dhënien e vizave për Kosovën

06/23/2022 22:58
nga:G B

Edhe pse pritjet ishin të mëdha, kosovarët sërish kanë mbetur të zhgënjyer.

As sot nuk pati një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën në samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor, raporton Gazeta Blic.

Mesazh jo të mirë mos dhënien e vizave për kosovarët e sheh analisti politik Gazmir Raci.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se është lajm i papritur pasi pati shpresë se do të na hiqen vizat, derisa jemi i vetmi popull i izoluar në Ballkanin Perëndimor.

“Nuk është mesazh i mirë për Ballkanin Perëndimor mos dhënia e vizave për Kosovën, është lajm i papritur pasi që pati shpresë që do të na hiqen vizat, pasi që jemi të vetmit e Ballkanit Perëndimor që jemi të izoluar dhe se Komisioni Evropian dy herë ka raportuar që i kemi plotësuar të gjitha kriteret”, thotë ai.

Sipas analistit, shkaktari për mos liberalizimin e vizave janë problemet e brendshme në Francë, por që shton se Kosova nuk duhet të dekurajohet dhe duhet të punojë për luftimin e krimit dhe korrupsionit, me shpresën se një ditë do të jemi në BE.

Raci vlerëson se Ballkani Perëndimor vazhdon të jetë arenë e përplasjeve.

“Por si duket për shkak të probleme të brendshme në Francë, Kosova dhe kosovarët vazhdojnë të jenë të diskriminuar nga lëvizja e lirë në Bashkimin evropian. Por Kosova nuk duhet të dekurajohet dhe duhet ta luftojë krimin, korrupsionin dhe ta zhvillojë ekonominë e vendit dhe duhet të punojë edhe më shumë në dialogun e Brukselit dhe të ketë më shumë rezultate dhe të dëshmojë që ne me të vërtetë jemi evropianë si popull dhe e meritojmë që një ditë të jemi pjesë e bashkimit evropian, përndryshe Ballkani me këto mos qartësi vazhdon të jenë arenë e përplasjeve dhe kjo mund të rritet edhe më shumë”, potencon analisti për Gazeta Blic.

Sa i përket pritjeve për në fund të këtij viti për vizat, ai beson se në tetor do të ketë lëvizje të brendshme, teksa thekson se Presidenca Çeke do të ketë rol vendimtar.

“Në tetor pres lëvizje pozitive dhe besoj që deri atëherë edhe problemet e brendshme të zgjidhen në parlamentin francez. Pres që presidenca Çeke do të ketë rol vendimtar dhe do të dëshiroja që brenda presidencës Çeke të BE-së, qytetarët e Kosovës ta gëzojnë lirinë e munguar të lëvizjes”, deklaron Gazmir Raci./Gazeta Blic/