Sporti

Lajm i mirë: Sulmuesi i Ballkanit, Sunday Adetunji gati për ndeshjen e sotme ndaj Santa Colomas

07/16/2024 10:31
nga:L J

Super transferimi i ri i Ballkanit, Sunday Adetunji do jetë në dispozicion të trajnerit Ilir Daja sot në ballafaqimin ndaj Santa Colomas.

Ballkani përballet sot me Santa Coloman me fillim nga ora 16:30, në kuadër të ndeshjes kthyese të raundit të parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve. Ky ballafaqim zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, teksa hyrja do jetë falas.

Siç mëson GazetaBlic Sport, Adetunji ka kompletuar dokumentacionin dhe do jetë gati për të luajtur sot për ekipin nga Suhareka.

Ballkani fitoi ballafaqimin e parë në Andorrë me rezultatin 1-2, teksa Adetunji nuk ishte pjesë e listës së grumbulluar, shkaku i dokumentacionit dhe vonesave nga ish klubi i tij.

Kujtojmë se Adetunji është një nga transferimet më të bujshme të kësaj merkato në vendin tonë.

/GazetaBlic Sport