Sporti

Lajm i mirë për Milanin, Maignan do të jetë gati për derbi

09/19/2024 22:13
nga:E K

Një lajm i mirë mes shumë të këqijve në shtëpinë e Milanit.

“Rossoneri” po kalojnë nëpër një periudhë të vështirë dhe së fundmi mbetën edhe pa portierin e parë, Mike Maignan, i cili u lëndua në ndeshje me Liverpoolin në Ligën e Kampionëve të martën mbrëma.

Kuqezinjtë kishin frikë se s’do të mund të llogarisin në portierin francez në derbin e madh me Interin të dielën mbrëma.

Por, portali italian “Tuttomercatoweb” raporton se trajneri Paulo Fonseca do ta ketë në dispozicion njërin prej portierëve më të mirë në botë për “Derby della Madonnina”, përcjell “Gazeta Express”.

Francezi i ka kaluar dhimbjet dhe do të jetë rregullisht në mes të dy shtyllave në ndeshje me kampionët e Italisë, e cila do të luhet të dielën duke filluar nga ora 20:45.

Për trajnerin Fonseca ky mund të jetë rasti i fundit pasi një humbje eventuale nga “Nerazzurri” mund t’i kushtojë atij me shkarkim.

Milani e mposhti në fundjavën që shkoi Venezian me rezultat të thellë, 4:0 dhe u duk se ekipi u këndell pas fitores së parë sezonale në Serie A, por ngecjet ishin evidente në mesjavë kundër “Reds”, kur u mposhtën në shtëpi, 1:3.