Lajme

Lajm i mirë për mërgimtarët që jetojnë në Gjermani: Qeveria e re rrit pagën minimale, ora bëhet 12 euro

11/26/2021 08:53
nga:M K

Pothuajse 2 milionë punëtorë në ekonominë më të madhe të Evropës do të përfitojnë rritje të madhe pagash, shkruan CNN.

Tri parti politike gjermane ranë dakord të formojnë qeverinë e re të mërkurën, me socialdemokratin e majtë Olaf Scholz të vendosur të pasojë Angela Merkelin si kancelare pas negociatave të gjata të koalicionit.

Si pjesë e marrëveshjes së koalicionit, vendi planifikon të rrisë pagën minimale në 12 euro ora, nga norma aktuale prej 9,60 euro sa ishte ora e punës.

Ky veprim mund të rrisë të ardhurat e gati 2 milionë njerëzve në Gjermani që fitojnë paga minimale, ose rreth 5% të punëtorëve, sipas Carsten Brzeski, një ekonomist në ING. Ai tha se lëvizja ishte “qartësisht e rëndësishme”.

Paga minimale ishte vendosur tashmë të rritet në 10,45 euro në korrik 2022. Teksti i marrëveshjes së koalicionit nuk thoshte se kur do të hyjë në fuqi rritja më e madhe e njëhershme.