Sporti

Lajm i mirë nga Spanja, Sergio Rico zgjohet nga koma pas tre javëve

06/19/2023 17:25
nga:E K

Një lajm i mirë vjen nga Spanja për gjendjen e Sergio Rico.

Portieri i Paris Saint-Germain është zgjuar nga koma pas tre javëve dhe sipas raportimeve nga mediet spanjolle ai tashmë është i vetëdijshëm dhe ka filluar të komunikojë me gjeste me familjarët.

Bashkëshortja e tij Alba Silva u tha gazetarëve, që prisnin jashtë spitalit për të marrë informacione në lidhje me gjendjen e Ricos, se portieri është duke e marrë veten pak nga pak.

“Po bëjmë hapa të vegjël përpara dhe po fillojmë të shohim dritën. Dalëngadalë, na duhet shumë durim“-tha ajo.

Rico ishte viktimë e një aksidenti të rëndë më 28 maj, kur u rrëzua dhe u sulmua nga kali në El Rocio, një fshat në Andaluzi. Që atëherë ai është shtruar në spitalin Virgen del Rocio në Sevilje.