Lajme

Lajçakut i shkojnë mesazhe për Asociacionin, Bislimi: E palogjikshme të merremi me punën e dhjetë para të parës

01/24/2024 15:33
nga:Sh R

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se marrëveshja bazike mes Kosovës dhe Serbisë përbëhet prej 11 paragrafëve që asnjëri prej tyre nuk e mbizotëron tjetrin. Dhe në këtë kontekst ai thotë se kërkesa për themelimin e Asociacionit si të parin është e palogjikshme.

“Marrëveshja bazike i ka 11 paragrafë dhe asnjëri prej tyre s’e mbizotëron tjetrin. Aneksi implementues kërkon që të gjitha prej tyre të zbatohen në tërësi, në mirëbesim, pa shtyrje, pa parakushte. Në këtë kontekst hapi i parë në të cilin është duke punuar Kosova bashkë me BE-në është dizajnimi i planit të sekuencimit të zbatimit. Vetëm atëherë mund të themi kur në këtë sekuencim të zbatimit duhet të merremi me draft-statutin ose diçka të ngjashme. Rrjedhimisht, çdo kërkesë që të merremi me punën e ë-të para punës së parë është e palogjikshme dhe ne do ta themi se kjo është e palogjikshme”.

Bislimi thotë se kjo ose është e palogjikshme ose është “tendencë që marrëveshja bazike të konvertohet në marrëveshje për Asociacionin”.

“Kosova pastaj s’do të mund të ishte palë, sepse kemi nënshkruar marrëveshje bazë dhe jo për një institucion apo mekanizëm”.

Bislimi iu tha gazetarëve që ta pyesin ndërmjetësin Lajçak pse nuk i ka qëndruar pas një deklarate të dhënë nga vetë ai.

“Ju e keni konstantime në media të z. Lajçak që thotë se BE-ja kurrë nuk do ta shkruajë draftin për Kosovën. Është detyrë e Kosovës kur të vijë momenti. Pyetjen duhet t’ia drejtoni z.Lajçak pse ai nuk i ka qëndruar besnik atij konstantimi që e ka nxjerrë në media vetë”.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se nuk e kritikojnë Bashkimin Europian, por se për “elementë” të caktuar kritikojnë udhëheqësit aktual të departamentit për jashtë të Komisionit Europian.

Bislimi tha se e kanë për obligim që të mbrojnë interesin e Kosovës në dialogun me Serbinë që e lehtëson BE.

“Në procesin e dialogut të Brukselit, Kosova është palë. Po ashtu, palë imidiate është edhe vetë departamenti për punë të jashtme i Komisionit Europian përmes përfaqësuesit special, Lajçak. Për aq kohë sa ne mendojmë që në proces diçka nuk ka shkuar sipas dinamikave që ne kemi menduar se janë të rregullta, ne do të shprehemi publikisht për këtë. Në qoftë se ka kritika në këtë kontekst ndaj qasjes të EAS-it (departamentit të jashtëm) apo z.Lajçak nuk është kritikë ndaj BE-së. Kritikë për një element të një procesi në të cilin ne jemi palë dhe BE është palë, por në të cilën palë në mbrojmë interesat e Republikës së Kosovës. Nuk jemi agjentë të BE-së. E kemi për obligim avancimin dhe promovimin e interesave të vendit tonë”, tha ai në një konferencë për media me ministrin çek për Çështjet e Europës, Martin Dvorak.