Lajme

Lajçak zhvillon “diskutim strategjik” me diplomatët O’Brien dhe Kasanof për dialogun:Vazhdojmë në Bruksel javën tjetër

09/24/2024 22:14
nga:Sh R

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka darkuar me Ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, duke thënë se zhvilluan “diskutim strategjik” për dialogun. Tutje, ai ka paralajmëruar vazhdim të diskutimit në Bruksel javën e ardhshme.

Në postimin që ka bërë në rrjetin “X”, Lajçak shkroi se biseda të tilla janë gjithmonë të dobishme.

“Gjithmonë e dobishme për të pasur një diskutim strategjik për Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe dinamikën rajonale me SHBA-në, me O’Brien dhe Kasanof. Mezi presim të vazhdojmë bisedën tonë javën e ardhshme në Bruksel”, është shprehur Lajçak.

Lajçak është duke qëndruar në Nju Jork ku po i zhvillon punimet Asambleja e Përgjithshme e OKB’së.