Lajme

Lajçak takon shoqërinë civile

02/01/2022 23:22
nga:Gazeta Blic

Emisari special evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak në ditën e dytë të vizitës në Prishtinë është takuar me përfaqësues të shoqërisë civile.

Ai me këtë rast ka thënë se shoqëria civile ka një rol të rëndësishëm në promovimin e pajtimit ndërmjet komuniteteve.

“I kënaqur që takohem me përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë. Ata kanë një rol të rëndësishëm në komunikimin e përfitimeve të normalizimit për qytetarët, promovimin e pajtimit dhe ndërtimin e urave ndërmjet komuniteteve”, ka shkruar diplomati sllovak në Twitter.

Lajçak së bashku me emisarin amerikan për dialogun Gabriel Escobar ndodhen për vizitë treditore në Kosovë gjatë së cilës ata janë takuar me krerët e institucioneve të vendit, përfshirë partitë opozitare në Kuvend.

Në ditën e tretë të vizitës të dy emisarët do të mbajnë një konferencë online.

Vizita e tyre në vendin tonë është parë si një sinjal për përpjekjet e koordinuara SHBA-BE për të vënë në lëvizje dialogun e ndërprerë Kosovë-Serbi.