Lajme

Lajçak takohet me Kurtin, paralajmëron takim të nivelit të lartë Kosovë – Serbi

08/28/2023 21:06
nga:G B

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë qëndrimit të tij në Bled, është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Me anë të një postimi në platformën “X”, Lajçak ka thënë se temë kryesore e takimit ishte përgatitja e takimit të radhës në shtator, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Zhvillova një takim të rëndësishëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, sot në Bled. Tema jonë kryesore e diskutimit ishin përgatitjet e takimit të radhës të Dialogut të Nivelit të Lartë në shtator me fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e deklaratës së 3 qershorit”, shkroi Lajçak.

 

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën e 28 gushtit është takuar me Emisarin Special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, me të cilin kanë diskutuar lidhur me bashkëpunimin rajonal dhe dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në platformën “X”, Kurti e cilësoi si takim të mirë, teksa të njëjtin e falënderoi për mbështetjen aktive të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës.

“Takimi i mirë me Lord Stuart Peach në Forumin Strategjik të Bledit. Folëm për bashkëpunimin rajonal dhe dialogun. E falënderova për rolin dhe mbështetjen aktive të Mbretërisë së Bashkuar”, ka shkruar Kurti.

Ndryshe, në kuadër të Forumit të Bledit për Siguri, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zhvilloi një takim dy palësh me Kryeministrin e Bullgarisë, Nikolai Denkov.