I dërguari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar gjatë javës kanë qëndruar në Prishtinë dhe Beograd në përpjekje për të gjetur zgjidhje rreth shtensionimit të situatës në veri të Kosovës, derisa Qeveria e Kosovës nga 1 shtatori pritet të zbatojë vendimin për targat dhe dokumentet.
E të enjten pas vizitave në Kosovë, Lajçak dhe Escobar kanë qëndruar në Beograd.
Lajçak në një postim në Twitter ka shkruar se pas një raundi të dytë të bisedimeve në Beograd, shpreson se janë në rrugën e duhur, duke vlerësuar siç shkruan “përpjekjet e sinqerta të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për tu mbështetur në zgjidhje evropian”.
“Pas një raundi të dytë diskutimesh, mbrëmë vonë, unë shpresoj se jemi në rrugën e duhur. I vlerësoj përpjekjet e sinqerta të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për tu mbështetur në zgjidhje evropiane. Bisedimet tona do të vazhdojnë”, shkruan Lajçak.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë në orët e para të së premtes se shpreson në një zgjidhje kompromisi me Kosovën, për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe, pas diskutimeve që ka pasur me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak dhe zyrtarë tjerë të huaj.
“Ne do të vazhdojmë bisedimet dhe besoj se në ditët në vijim do të mund të arrijmë një zgjidhje kompromisi, të paktën për një pjesë të vogël, pasi është e qartë se një zgjidhje e tillë nuk mund të arrihet fare sa u përket targave dhe disa çështjeve më të mëdha”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në Instagram.
Ai i ka bërë këto deklarata pas takimit me Lajçakun dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Në takim kanë qenë edhe ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në Beograd, Christopher Hill dhe Emanuele Giaufret.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Vuçiq janë takuar më 18 gusht në Bruksel, por takimi nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret.
Takimet e tyre janë mbajtur pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës më 31 korrik, meqë serbët lokalë kanë vënë barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj hapit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të vendimeve për targat dhe dokumentet serbe.
Serbia e ka zbatuar nga fillimi, Kosova jo.
Si pasojë e tensioneve, Qeveria e Kosovës ka shtyrë zbatimin e vendimit për 1 shtator.
Lajçak dhe Escobar kanë vizituar këtë javë Kosovën dhe Serbinë, me qëllim të shmangies së tensioneve mes dy vendeve.
Vuçiq ka thënë mes tjerash se asgjë nuk është e sigurt, dhe se nevojiten shumë garanci.
“Por në ditët në vijim, ne do të vazhdojmë të punojmë shumë për të siguruar dhe ruajtur paqen për popullin tonë, dhe në të njëjtën kohë të sigurojmë të ardhmen për mbijetesën e serbëve në Kosovë”, ka thënë ai.
Në Kosovë, Escobar dhe Lajçak kanë takuar liderë institucionalë dhe të partive opozitare.
Ata janë takuar edhe me përfaqësuesit politikë të serbëve në Mitrovicën e Veriut.
Kryeministri Kurti ka thënë më 24 gusht se autoritetet e Kosovës nuk do të pranojnë rikthimin në qarkullim të targave KS për veturat brenda territorit të Kosovës, si dhe do të zbatojnë masa reciproke për qytetarët e Serbisë sa i përket dokumentit për hyrje/dalje.
After a second round of discussions late last night, I hope we are on the right track. I appreciate @predsednikrs sincere effort to support a European solution. Our talks will continue.
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) August 26, 2022


