Lajme

Lajçak nesër në Prishtinë- ‘S’ka pritshmëri për avancim në dialog’

09/05/2024 19:02
nga:Y I

Emisari Special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pritet të vijë për vizitë nesër në Kosovë.

Vizitën e tij e ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Po, emisari special i BE-së Lajçak do ta vizitojë Kosovën nesër”, tha Stano raporton “Gazeta Blic”

Po çfarë pritet të sjellë një vizitë e tillë dhe a do të ketë lëvizje në procesin e dialogut?

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Visar Xani, u shpreh se nuk ka pritshmëri se mund të ketë përparime në dialog, pas kësaj vizite.

I njëjti potencoi se Lajçak, gjatë gjithë mandatit të tij, nuk ka arritur të krijojë një momentum që do të sillte rezultate konkrete.

“Vizita e Miroslav Lajçakut në Kosovë nesër mund të ngjallë pritshmëri mbi ecurinë e dialogut, por unë nuk pres ndonjë përparim të ndjeshëm. Jemi në fundin e mandatit të tij si Përfaqësues Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, dhe fatkeqësisht, gjatë gjithë kësaj periudhe, Lajçaku nuk ka arritur të krijojë një momentum që do të sillte rezultate konkrete. Eshtë e qartë se ai po i afrohet fundit të detyrës, dhe kjo mund të ndikojë në efektivitetin e përpjekjeve të tij të mbetura” tha Xani për “Gazeta Blic”.

Ai tha se një faktor tjetër që ndikon negativisht në procesin e dialogut, është periudha parazgjedhore, dhe se pala e cila është në proces zgjedhor nuk është e interesuar për të marrë vendime.

“Një faktor tjetër që ndikon negativisht në procesin e dialogut është periudha parazgjedhore. Praktika tregon që palet që janë në procese zgjedhore nuk janë të interesuara të marrin vendime të rëndësishme në prag të zgjedhjeve, pasi asnjë palë nuk dëshiron të pranojë obligime që mund të perceptohen si jopopullore nga elektoratet e tyre. Ky është një fenomen i njohur në praktikën negociuese kur palët përballen me presionin elektoral, ato shmangin çdo marrëveshje që mund të përdoret kundër tyre në fushatat politike” tha Xani.

Xani potencoi se mandati i Lajçak është karakterizuar më shumë nga udhëtime dhe takime sesa nga ndonjë sukses substancial.

“Sa i përket Lajçakut, mandati i tij është karakterizuar më shumë nga udhëtime dhe takime sesa nga ndonjë sukses substancial. Dialogu është përballur me një bllokadë të vazhdueshme dhe, në vend që të arrinte rezultate të prekshme, ai ka shpenzuar mandatin duke mbushur axhendën me vizita diplomatike që kanë prodhuar shumë pak përparim konkret. Ka një ndjenjë të përgjithshme se fokusi i tij ka qenë më tepër në menaxhimin e procesit dhe arkivave të tij sesa në arritjen e rezultateve që mund të ndryshojnë realitetin politik në terren. Duke marrë parasysh këto faktorë, nuk është realiste të presim ndonjë lëvizje të rëndësishme në dialogun Kosovë-Serbi gjatë kësaj vizite” tha Xani në përgjigjen e tij dhënë për “Gazeta Blic”.

Në lidhje me vizitën e Lajçak nesër në Kosovë ka folur për “Gazeta Blic” edhe zyrtari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Bardh Ahmeti.

Ahmeti tha se nuk është parë ndonjë angazhim serioz në procesin e dialogut dhe se Lajçak thjesht po kryen një punë rutinë.

“Lajçak është i dërguari i BE-së për dialogun. Ai i jep formë dhe e vendos në leter presionin e BE-së. Prej shteteve anëtare, sigurisht, janë Franca e Gjermania me rol të shtuar. Nuk kemi parë ndonjë angazhim serioz drejt dialogut, andaj edhe Lajçak siç duket thjesht punët rutinë po i kryen” tha Ahmeti për “Gazeta Blic”.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, tha se mesazhi që do të përcjellë nesër Lajçak është që të vazhdohen negociatat, të ndërpiten veprimet e njëanshme të Qeverisë dhe të ç’tensionohet situata në Veri.

“Së pari ai është i ngarkuar nga vendet e BE për të ndihmuar negociatat në mes të Kosoves e Serbisë. Së dyti, ai vjen nga një vend me përvojen më të mirë për ndarjen paqësore në mes të Çekisë e Sllovakisë, prandaj edhe Kosova e Serbia do duhej të mësonin e ta praktikonin mënyren se si këto dy vende janë ndarë, por funksionojnë bashkë në NATO e BE. Mesazhi i tij është ai që e ka Brukseli, pra të vazhdojnë negociatat, të çtensionohet situata në veri të Kosovës, të ndërpriten veprimet e njëanëshme të Qeverisë, të ndërpritet përdorimi i policisë për interesa politike. Por, është edhe një problem tjeter, heqja e sanksioneve të BE ndajë Kosovës”, deklaroi Haliti për “Gazeta Blic”.

E Sekretari i Përgjitshëm i Aleancës Kosovare e Re (AKR) Vesel Makolli, tha se prezencën e Lajçak nesër në Kosovës e kanë nxitur veprimet e Qeverisë tonë rreth hapjes së Urës së Ibrit.

“Situata momentale politike dhe e sigurisë në regjion, e ne veçanti në pjesen veriore te vendit tonë, ka tendenca të tesionimeve te rrezikshme ne aspektin e sigurisë.Reagimin e diplomacise se BE, me viziten e neserme te Lajçakut, e kane nxitur veprimet e Qeverise sone rreth hapjes se ures mbi lumin Iber dhe paralajmerimet e protestave nga pala serbe per bllokimin e vendkalimeve kufitare” tha Makolli.

I njëjtit potencoi se nuk pritet të ketë lëvizje në procesin e dialogut.

Makolli tha se e vetmja gjë që pritet të arrijë, vizita e Lajçak, është shtensionimi i situatës në veri.

“Duke marrë parasysh situaten gjeopolitike ne Evrope, si dhe fushaten zgjedhore ne SHBA, levizje ne dialogun Kosove-Serbi nuk do te kete, se paku edhe per gjysëm viti. Krejt çka pritet te arrijë Lajçak në emer te diplomacise se BE, është shtensionimi i situates dhe gjetja e gjuhës se perbashkët me te dyja palet per evitimin e veprimeve destabilizuese dhe të rrezikshme për sigurinë, në pjesen veriore te vendit, e që do te kishin tendencë te pershkallezimit ne regjion dhe me gjer” tha Makolli në përgjigjen e tij dhënë për “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/

 

Stano e konfirmon: Lajçaku nesër në Kosovë

 

Haliti: Lajçak duhet të pritet si mik në Kosovë, asesi ndryshe