Lajme

Lajçak në Kosovë: Pritshmëritë dhe skepticizmi i pozitës dhe opozitës për takimet e nesërme

09/05/2024 23:28
nga:Genita C

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci në një prononcim për Gazeta Blic, u deklarua rreth vizitës së paralajmëruar në Kosovë nga ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ai tha se nuk pret asgjë nga Lajçak, sepse sipas tij i dërguari i Bashkimit Evropian ka treguar njëanshmëri.

“Nuk pres asgjë nga Lajçak, deri më tash ka treguar njëanshmëri dhe nuk pres nga ky negociator, asgjë”, tha deputeti Mefail Bajqinovci.

Edhe deputeti, Agon Batusha tha se dialogu ka nevojë për një rifreskim dhe rimendim, mirëpo ai e quan të kotë dhe humbje kohe çdo përpjekje për rikthim të dialogut me të njëjta kushte.

“Dialogu ka nevojë për rifreskim dhe rimendim. Ndërmjetësuesit kanë humbur kredibilitetin, përderisa kanë ndërmjetësuar një dialog në të cilin palët nuk janë trajtuar barabartë. Andaj, çdo përpjekje për rikthim të dialogut me të njëjta kushte dhe qasje mendoj që është e kotë aq edhe humbje kohe”, përfundoi deputeti nga VV-ja, Agon Batusha.

Ndërsa, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti tha se mesazhi i Lajçak do të jetë ai që ka Brukseli, të vazhdojnë negociatat, të ndërpriten veprimet e njëanëshme të Qeverisë dhe të ç’tensionohet situata në veri të vendit.

“Së pari ai është i ngarkuar nga vendet e BE për të ndihmuar negociatat në mes të Kosoves e Serbisë. Së dyti, ai vjen nga një vend me përvojen më të mirë për ndarjen paqësore në mes të Çekisë e Sllovakisë, prandaj edhe Kosova e Serbia do duhej të mësonin e ta praktikonin mënyren se si këto dy vende janë ndarë, por funksionojnë bashkë në NATO e BE. Mesazhi i tij është ai që e ka Brukseli, pra të vazhdojnë negociatat, të çtensionohet situata në veri të Kosovës, të ndërpriten veprimet e njëanëshme të Qeverisë, të ndërpritet përdorimi i policisë për interesa politike. Por, është edhe një problem tjeter, heqja e sanksioneve të BE ndajë Kosovës”, deklaroi ai.

Haliti theksoi se Miroslav Lajçak, duhet pritur si mik e jo ndryshe.

“Lajçak përfaqëson politikat e BE, dhe si i tillë duhet të pritet si mik e asesi ndryshe. Sa më shpejtë që të kuptojmë që ne kemi detyrime ndaj BE , e jo ata ndaj nesh, do i hapim vetes dyertë e Përendimit e BE. Rrugëtimi është i vështirë por jo i paarritshëm”, përfundoi deputeti nga PDK, Xhavit Haliti.

Fatmir Humolli, deputet i pavarur thotë se, me vizitën e fundit të Macronit në Beograd, BE-ja, sipas tij, ka treguar shumë qartë se është pro shovenizmit sllavo serb.

“BE ja me vizitën e fundit të Macronit në Beograd ka treguar shumë qartë se është pro shovenizmit sllavo serb dhe se është penduar që ka bombarduar Serbinë. Lajçaku është një ushtarë i bindur prosllav. Ky institucion evropian nuk dëshiron ta kuptojë se Serbia në mënyrë të njëanshme ka pushtuar, ka kolonizuar tokat shqiptare, gjithashtu ka asimiluar shqiptarët”, deklaroi ai.

“Fatkeqësia është se politika shqiptare nuk po e kupton se ne kemi qenë të pushtuar dhe jemi çliruar nga pushtimi serb e jo të ndarë nga Serbia. Këtë dallim në mes çlirimit dhe ndarjes, klasa politike tek ne nuk e kupton, politika ndërkombëtare e dinë saktë. Ndërkombëtarët po sillen sikur jemi ndarë nga Serbia, sepse ka pa paaftësi politike tek shqiptarët”, shton tutje ai.

Humolli thotë se pritshmërit i ka pasë tek Qeveria Kurti, por sipas tij, asgjë nuk ka ndryshuar.

“Kam prit prej qeverisë aktuale se do sillen ndryshe nga politika e kaluar, kanë hyrë në rrugë të gabuar deri sa nuk këndellet, shovenizmin serbë do ta kemi të avancuar. Politika ndëkombëtare nuk edukon dhe çliron popuj”, përfundoi deputeti i pavarur, Fatmir Humolli për GazetaBlic.