Lajme

​Lajçak në Beograd: Duam progres në arritjen e marrëveshjes ligjërisht obligative Kosovë-Serbi

02/03/2022 18:25
nga:Y I

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak dhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar thanë sot në përfundim të vizitës në Serbi, se “gjithçka që është rënë dakord në dialogun Kosovë-Serbi duhet të zbatohet”.

Në një konferencë për media, Lajçak tha se duan të shohin përparim në arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht obligative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne duam të shohim përparim të shpejtë në zbatimin e marrëdhënieve dhe kemi thënë qartë në Prishtinë dhe Beograd se gjithçka që është rënë dakord në të kaluarën duhet të zbatohet. Gjithçka që është rënë dakord duhet të zbatohet dhe kjo është pjesë e procesit që duhet të zhvillohet paralelisht me negociatat për marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme”, tha Lajçak.

Ai u shpreh optimist para raundit të ardhshëm të dialogut, për të cilin ende nuk dihet se kur do të vijojë.

“Siç e dini, dialogu është i lidhur me perspektivat konkrete të integrimit në BE. Kam pasur një bisedë të mirë me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe u jam mirënjohës për idetë dhe rekomandimet e tyre”, tha Lajçak.

Ndërsa Escobar tha se kjo ishte vizita e tij e parë në Serbi në këtë rol dhe se mendonte se ishte shumë e rëndësishme të vinte me kolegun e tij Lajçak pasi shpreh unitetin dhe solidaritetin midis BE-së dhe SHBA-së, me besimin se Ballkani duhet të jetë pjesë e komunitetit evropian.

“Ne besojmë se rruga e Serbisë dhe Kosovës është drejt kësaj, me dialog”, shtoi ai.

Sipas tij, rezultatet e dialogut do të hapin potencialin e madh që ka rajoni për zhvillim ekonomik dhe integrim më të madh në BE.

Ai ndërkaq ka folur edhe rreth kërkesës serbe për formimin e asociacionit.

“Ne nuk kemi një vizion se si kjo duhet të realizohet në realitet, është nga të dyja palët të diskutohet një dialog që mbështet BE-në, por ne do të mbështesim çdo marrëveshje politike, financiare dhe teknike,” tha Escobar.

I pyetur për lejimin e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e Serbisë, Escobar tha se janë të mendimit se të gjithë njerëzit nga rajoni duhet të kenë mundësi të votojnë në zgjedhjet demokratike në të cilat kanë të drejtë të marrin pjesë.

Lajçak dhe Escobar para vizitës në Serbi kanë qëndruar për vizitë treditore në Kosovë, ku janë takuar me krerët e institucioneve dhe partive politike.