Lajme

Lajçak: Duhet progres në zbatimin e marrëveshjes bazike, është marrëveshja më e mirë që kemi mundur të arrinim

03/05/2024 11:48
nga:G B

I Dërguari i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka dalë në konferencë pas takimit me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Ai ka thënë se kanë folur për marrëveshjen e arritur midis Kosovës dhe Serbisë, çështjet e pagesave, aspektin monetar dhe sistemin e pagesave.

Lajçak, ka thënë se duan më shumë përparim në zbatimin e Marrëveshjes bazë, e cila tashmë ka bërë një vit që nga nënshkrimi.

Lajçaku po ashtu ka thënë se në takimin e fundit në Bruksel, u ishte lënë palëve të vendosin vetë kë duan ta dërgojnë në takim.

“Kemi diskutuar një listë të gjatë të çështjeve. Dhe më e rëndësishmja është zbatimi i Marrëveshjes bazike të arritur dhe kjo është në interes të të gjithëve që të kemi progres në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Është marrëveshja më e mirë që kemi mundur të arrinim. Nëse do të kishte marrëveshje më të mirë, do ta kishim bërë prandaj është në interes të secilit që të zbatohet. Sepse në këtë marrëveshje kemi të gjitha përgjigjet, çfarë të bëjmë dhe si t’i bëjmë. Pyetja e vetme është se kur do të ndodhë zbatimi i këtyre pikave. Kemi shpenzuar shumë kohë për të ndërmarrë hapa dhe ka frikë në të dyja palët se çfarë do të bëjë unë e çfarë pala tjetër. Por besoj se këto çështje munden shumë thjesht të zgjidhen”, ka thënë ai.