Lajme

Lajçak dhe Palmer të hënën në Kosovë, takojnë qeveritarët

05/30/2021 14:48
nga:Gazeta Blic

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, bashkë me Zëvendësndihmës sekretarin e shtetit amerikan, Matthew Palmer, të hënën do ta vizitojnë Kosovën.

Në vizitën e tyre dy ditore, ata do të takohen me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministrin e vendit, Albin Kurti, , Zëvendës Kryeministrin e Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog Besnik Bislimi, Zëvendës Kryeministren e Dytë dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.

Kështu është bërë e ditur në një komunikatë për media nga Zyra e BE-së.

Lajmin për ardhjen e Palmer, për Albanian Post, e ka konfirmuar edhe zyra për media e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

“Javën e ardhshme, Zëvendës-ndihmës sekretari Palmer do të qëndrojë në Prishtinë, për t’u takuar me zyrtarët qeveritarë dhe për të diskutuar mbi marrëdhëniet tona bilaterale”, thuhej në përgjigjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

Lajçak gjithashtu do të takohet edhe me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë dhe do t’u drejtohet Shefave të Misioneve të BE-së.

Në komunikatën për media, nuk thuhet se Lajçak dhe Palmer do të takohen edhe me krerët e partive opozitare.

Pas takimeve të tyre, Lajçak dhe Palmer, do të mbajnë një konferencë për media të përbashkët, të martën në orën 10:45, në zyrën e BE-së.

Ndërkaq, takimi i parë midis Kryeministrit Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të mbahet në qershor në kryeqytetin e Francës, në Paris.

Albanian Post posedon dokumentin e emëruar si “non-paper” në të cilin precizohet jo vetëm koha e takimit, por edhe temat e bisedës dhe synimet e këtij raundi të ri bisedimesh, i cili është projektuar si raundi final dhe pritet të përfundojë para muajit shkurt të vitit 2022.