I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka arritur në Kosovë.
I njëjti pritet që sonte të ketë një darkë pune bashkë me zv/kryeministrin Besnik Bislimi.
Ndërsa nga Qeveria e Kosovës kanë theksuar se nuk ka ndonjë takim të paralajmëruar në mes tij dhe kryeministrit Albin Kurti.
“Për agjendën e zotit Lajçak, ju lutemi që t’i drejtoheni ekipit të tij. Për takimet e kryeministrit Kurti me zotin Lajçak njoftoheni gjithmonë paraprakisht. Ne nuk kemi pranuar ndonjë kërkesë zyrtare nga Lajçak për takim me kryeministrin Kurti”, u tha në një përgjigje dërguar REL-it nga Zyra e Kryeministrit Kurti.
Për këtë vizitë të Lajçakut ende nuk ka detaje të hollësishme, por diplomatët në Bruksel pohojnë se edhe këtë vizitë duhet parë si vazhdim të përpjekjeve dinamike për të bindur palët që të pranojnë propozimin evropian për marrëveshjen bazë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Lajçak, por edhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, publikisht kanë mirëpritur qëndrimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sa i përket propozimit evropian, apo siç njihet edhe si plani franko-gjerman. Kjo gjë lë përshtypjen se tani duhet të punohet më shumë edhe me përfaqësuesit e Kosovës.
Më 23 janar, Vuçiq deklaroi se propozimi i BE-së është kornizë e re negociuese për Serbinë.



