Me rastin e festave të fundvitit, Qeveria e Kosovës ndau nga 100 euro për fëmijët nga 0 deri në 16 vjeç dhe pensionistëve.
Lidhur me këtë, Vendenis Lahu, kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, me numër 69, ka thënë se kanë prekur dy pikat më të ndjeshme e të cenueshme të Kosovës.
Në një intervistë për GazetaBlic, Lahu deklaroi se kjo nuk është hera e parë që qeveria i mbështet këto kategori, duke shtuar se nuk ka të bëjë me fushatën zgjedhore, por me angazhimin e vazhdueshëm të qeverisë për mirëqenien e qytetarëve.
“Ajo që dihet, ne jemi një qeveri socialdemokrate dhe kemi thënë vazhdimisht, edhe kur kemi qenë në opozitë dhe pasi kemi ardhur në pushtet, që qeveria jonë e ka synim mirëqenien e qytetarit. Mendoj se e kemi prekur në dy pika mjaft të ndjeshme edhe pensionistët dhe fëmijët. Kemi bërë rritje të pensioneve, kemi ndarë mjete për fëmijët. Mendoj se kjo as nuk është hera e parë që bëjmë një gjë të tillë dhe as nuk do të jetë e fundit, sepse mendoj që këto janë dy kategori mjaft të cenueshme për të cilat deri më tani nuk është bërë mjaftueshëm. Unë mendoj se jo vetëm kaq, por ka hapësirë edhe më tutje që të ndihmohen pensionistët, edhe me ngritje të pensioneve, që besoj se në mandatin e ri do ta bëjmë. Sigurisht do të mbështesim dhe fëmijët e nënat, sepse më herët nuk është bërë kjo, dhe mendoj që është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe kjo është një ndihmesë e madhe. Ka qenë e bërë edhe më herët nga qeveria jonë, vitet e kaluar dhe nuk ka të bëjë fare me fushatën zgjedhore”, potencoi Lahu.
Sa i përket zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lahu është i bindur se Lëvizja Vetëvendosje do të arrijë një rezultat pozitiv.
Ai theksoi se mbështetja e qytetarëve është evidente në të gjithë Kosovën dhe se partia do të vazhdojë të fitojë besimin e qytetarëve.
“Duke u bazuar në punën që kemi bërë deri më tani, duke u bazuar në mbështetjen që qytetarët na e kanë dhënë gjatë gjithë mandatit, duke qenë se kemi qenë mjaft të përgjegjshëm para kërkesave të qytetarëve dhe jemi munduar të bëjmë më të mirën në raport me premtimet që i kemi dhënë dhe duke qenë se qytetarët i kanë parë dhe i kuptojnë edhe vështirësitë edhe sfidat që përballet shteti dhe mundësitë financiare ndër të tjera që ka vendi ynë. Besoj që mbështetja e qytetarëve nuk do të mendohet ndryshe në këto zgjedhje, dhe mendoj se po e shohim çdo ditë, në çdo vend të Kosovës, nga Podujeva e Mitrovica, pjesës veriore e deri në Sharr në pjesën jugore. Pra, mendoj se nga katër anët po marrim mbështetje, e cila na mbush me besim që do të dalim siç është më së miri edhe në këto zgjedhje”, u shpreh ai.