Kandidati për deputet nga AAK, Lahi Ibrahimaj, ka mbajtur takim me qytetarët në Jabllanicë, në vendin ku ka lindur, është rritur dhe ka mësuar vlerat më të çmuara të jetës – besnikërinë, trimërinë dhe atdhedashurinë, raporton Gazeta Blic.
Ai ka thënë se në kullë sot ai ka pritur me krenari bashkëluftëtarët dhe bashkëfshatarët e tij.
“Si dje në luftë, ashtu dhe sot në paqe, betimi im mbetet i njëjtë: t’i shërbej me përkushtim popullit tim dhe të punoj pa pushim për një Kosovë më të mirë për të gjithë”, ka shkruar ai në Facebook.
Postimi i tij i plotë:
Jabllanica jonë e dashur është vendi ku çdo pllambë tokë ruan histori të pathëna heroizmi. Këtu u linda, u rrita dhe mësova vlerat më të çmuara të jetës – besnikërinë, trimërinë dhe atdhedashurinë.
Në këtë vatër të pathyeshme të qëndresës, çdo familje mban në gjoks plagën e sakrificës – çdo familje ka të paktën një dëshmor që dha jetën për lirinë e Kosovës në periudha të ndryshme.
Sonte në kullën ku dikur, si vëllezër të armëve planifikonim rrugën drejt lirisë – prita me krenari bashkëluftëtarët dhe bashkëfshatarët e mi. Këto mure që dikur dëgjuan betimin tonë për liri, sonte dëshmuan një betim të ri.
U pushtova nga emocioni kur shoh se ata që qëndruam sup më sup në ditët më të vështira, sot më japin besimin dhe mbështetjen e tyre të plotë për një betejë të re – përfaqësimin e zërit të tyre në Kuvendin e Kosovës.
Si dje në luftë, ashtu dhe sot në paqe, betimi im mbetet i njëjtë: t’i shërbej me përkushtim popullit tim dhe të punoj pa pushim për një Kosovë më të mirë për të gjithë.
Jabllanicas, ju faleminderit për shërbimin ndaj Atdheut. Ju faleminderit për mbështetjen e vazhdueshme.