Lajme

La Italinë për të investuar në Mirditë- Historia emocionuese e të riut që po sjellë mijëra turistë në Shqipëri!

10/23/2024 12:18
nga:Y I

I riu nga Mirdita, Bajron Nikolli, pas shumë vitesh qëndrim në Itali vendosi të investojë në vendlindje.

Megjithëse pati shumë vështirësi në fillim, Bajroni, nuk hoqi dorë nga ëndrra dhe sot resorti i tij Baven-Toven Naturae në ‘Rubik të Mirditës’ është një nga vendet më të vizituara nga turistët e huaj.

Nikolli në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” tha se numri i vizitorëve aty ka qenë shumë i lartë, duke kryesuar ata që vijnë nga Hollanda.

Ai tregon se ka kërkesa të larta për t’a vizituar Baven-Toven Naturae edhe nga Kosova.

Më poshtë i’u ftoj të lexoni intervistën e plotë:

Gazeta Blic: Si i’u lindi ideja për të hapur resortin tuaj në Rubik?

Bajron Nikolli: Ideja ishte shumë e thjeshtë: unë jetoja në Itali, ndërsa familjen e kisha në Shqipëri. Duke parë situatën në Evropë, ku ndjehej një mungesë ajri në qytetet e zhvilluara, kuptova se kur kthehesha në vendlindje, bukuritë natyrore, gjelbërimi dhe ajri i pastër më ofronin një relaks të vërtetë. Kjo më bëri të mendoj se shumë shpejt evropianët do të kishin nevojë për natyrën dhe klimën që ofron vendi ynë.
Kështu, vendosa të krijoja një vend pune në shtëpinë time, duke mos pasur nevojë t’i çoja familjarët e mi në Itali. Kjo më lehtësoi edhe mua, pasi mund të kisha të ardhura dhe të jetoja pranë familjes.

Gazeta Blic: Si ka shkuar puna deri tani?

Bajron Nikolli: Ishte një rrugëtim shumë i gjatë dhe i vështirë, pasi gjithçka filloi nga zero. Kemi përballuar mungesat e infrastrukturës dhe shumë sfida të tjera, por me kalimin e kohës dhe përkushtimin tonë, ia dolëm mbanë. Tani mund të them se jemi plotësisht të realizuar, kemi arritur disa qëllime, por punët nuk mbarojnë këtu. Ka ende disa qëllime për të arritur, dhe edhe pse vështirësitë vazhdojnë, ka shenja të mira për një zhvillim të favorshëm në të ardhmen.

Gazeta Blic: A keni patur ndonjë moment të vështirë gjatë punës tuaj që keni thënë ‘pse investova, a ia vlen?

Bajron Nikolli: Është normale, gjatë gjithë këtij rrugëtimi të gjatë, të kesh dyshime dhe ndonjëherë të pyesësh veten se çfarë po bën. A thua do ishte më mirë të rrija aty ku isha? Por në fund, gjithmonë ka fituar arsyeja, kurajoja dhe zemra për vendin, dhe koha ka treguar se këto tri gjëra kanë pasur të drejtë. I kemi tejkaluar të gjitha vështirësitë, ndonëse kemi vuajtur dhe kemi përjetuar disa siklete, veçanërisht për shkak të veshëve të shurdhër nga institucionet. Në fakt, për shumë pak gjëra, si pak kilometra linje elektrike për të arritur tek nenstacioni gjeneral, nuk është bërë asgjë. Edhe zgjerimi i disa kilometrave rrugë nuk është realizuar, ndonese me shumë pak shpenzime do behej.
Duke e parë zhvillimin e turizmit, e kuptoj se është ai që më mban këtu. Pa turizëm, unë që jam me pasaportë italiane do të shkoja në vendin tim, atje ku kam qenë, dhe nuk do të rrija të jetoj këtu. Turizmi në Baventoven ofron vende pune dhe optimizëm për të gjithë Mirditën. Ndonëse ndonjëherë ndihesha i nënvlerësuar, e kam kuptuar se angazhimi im ka bërë një diferencë të madhe.
Megjithatë, akoma vazhdojnë të jenë në veshë të shurdhër, dhe në njëfarë mënyre jam dorëzuar. Por vazhdoj me moton time: kam bërë çfarë kam mundur, duke gjetur mbështetje të madhe te turistët, platformat dhe agjencitë e huaja. I kam kuptuar dhe ata më kanë kuptuar, dhe falë tyre jam këtu ku jam sot.
Shpresoj që një ditë këta veshë të shurdhër do të largohen dhe do të bëjmë diçka për vendin, sepse me pak përpjekje mund të bëjmë shumë, pasi kemi potenciale të mëdha.

Gazeta Blic: Nga cilat shtete janë kryesisht turistët që vijnë në Baven-Toven Natyre?

Bajron Nikolli: Që prej dy vitesh, Holanda kryeson si vendi i parë për numrin e turistëve që vizitojnë Baventoven. Këtë vit, një surprizë ishte Belgjika, e cila kaloi në vendin e dytë, ndërsa pas saj renditen Franca, Gjermania dhe Spanja. Po ashtu, kemi pasur një numër të konsiderueshëm turistësh australianë këtë vit. Anglezët ishin gjithashtu të shumtë, ashtu si edhe turistët nga çdo skaj i Shteteve te Bashkuara. Nga të gjitha vendet e botës, kemi pasur rezervime çdo natë, duke tejkaluar pritshmëritë tona. Siç e përmenda më lart, Holanda vazhdon të kryesojë dhe besoj se do të mbetet në këtë pozicion edhe në vitet e ardhshme.

Gazeta Blic: A keni vizitorë nga Kosova?

Bajron Nikolli: Nga Kosova, të them të drejtat, nuk ka shumë vizitorë, pasi këtu jemi në një zonë kodrinore “malore” mes maleve. Duke qenë se Kosova ka shumë male të bukura, kosovarët që vijnë në Shqipëri kërkojnë më shumë detin. Megjithatë, ka pasur kërkesë për vizitorë, edhe pse nuk jam i strukturuar për të pritur vizitorë në formën e një restoranti, pasi ofroj shërbim vetëm për ata që vijnë për të fjetur, ku mundësoj mëngjesin dhe darkën. Nuk mund të pres njerëz jashtë kategorisë së fjetjes për shkak të organizimit. Por, nëse do të kishim një restorant, kërkesa ka pasur shumë edhe nga Kosova.

Gazeta Blic: Nëse keni statistika, sa është numri i vizitorëve deri tani që kanë vizituar resortin tuaj?

Ajo që di të them është se numri i vizitorëve ka qenë shumë i lartë; numërohen mijëra. Mund të shtoj gjithashtu se gjatë sezonit të plotë kemi pasur edhe qindra refuzime, pasi nuk kemi pasur më vende për ta. Kërkesat ishin të shumta çdo ditë, gjë që ka qenë shumë e bukur dhe na ka plotësuar vitin, duke na bërë të ndjehemi më të qetë për dimrin. Ne po punojmë që të zhvillojmë një turizëm të qëndrueshëm edhe gjatë sezonit të dimrit, pasi kjo është ajo që mungon. Për momentin, kemi pranverën, verën dhe vjeshtën, por po punojmë që të kemi edhe dimrin plot me turistë.

Gazeta Blic: Një mesazh për të gjithë ata që nuk i’u kanë vizituar, pse duhet t’iu zgjedhin ju për të pushuar?

Bajron Nikolli:Të dashur turistë, Baventoven është një vend magjik që ofron një përvojë unike mes natyrës mahnitëse dhe mikpritjes së ngrohtë. Ju ftojmë të vini dhe të qëndroni të paktën një natë, për të përjetuar çdo aspekt të këtij vendi të veçantë. Një qëndrim i shkurtër do t’ju japë mundësinë të shijoni bukuritë natyrore dhe atmosferën relaksuese që ofron Baventova.Mos humbisni mundësinë për të eksploruar, për t’u çlodhur dhe për të krijuar kujtime të reja.

/Gazeta Blic/