Lajme

Ky shtet sapo u godit nga tërmeti

01/28/2022 09:43
nga:Gazeta Blic

Një tërmet me magnitudë 4.5 u regjistrua në Qipro herët të premten, i treti që u ndje në ishull këtë muaj.

Derisa departamenti i studimit gjeologjik i bëri thirrje publikut të qëndrojë i qetë dhe nuk pati raportime për të lënduar apo dëme.

Tërmeti u regjistrua dy minuta para orës 6 të mëngjesit me epiqendër në detin e Qipros, 50 kilometra në perëndim-veriperëndim të Polis Chrysochous në një thellësi prej 23 kilometrash.

Në deklaratat e tij për Agjencinë e Lajmeve të Qipros, Zëvendës Drejtori i Departamentit të Shërbimit Gjeologjik Christodoulos Hadjigeorgiou tha se tërmeti ndodhi “përafërsisht në të njëjtën zonë ku ndodhi tërmeti i 11 janarit, në veriperëndim të Peyias dhe në perëndim të Polis Chrysochous”.

Ai shtoi se departamenti po shqyrton nëse është një tërmet i ri apo një pasgoditje, shkruan Cyprusmail, transmeton Klankosova.tv.

Një njoftim i mëparshëm i departamentit thoshte, se “ai vlerësohet si një pasgoditje e tërmetit të fortë prej 6.5 ballë të 11 janarit 2022”.

Derisa tërmet me magnitudë 5.3 u regjistrua më 5 janar, sërish në të njëjtën zonë.

Hadjigeorgiou shpjegoi se ishulli ndodhet në një zonë të prirur ndaj tërmeteve dhe se ato mund të ndodhin në çdo kohë. Ai i këshilloi njerëzit të qëndrojnë vigjilentë dhe të qetë në raste të tilla.

Përjetimi i dridhjeve të rregullta të tërmeteve që nuk janë shkatërrues është pozitiv, sipas Hadjigeorgiou, pasi kjo do të thotë se energjia po çlirohet pa krijuar një tërmet të madh.