FIFA ka vendosur që gjyqtari Cesar Arturo Ramos i Meksikës do të gjykojë gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Botës, ku kampioni në fuqi, Franca do të luajë me Marokun të mërkurën.
Kjo do të thotë se një tjetër “rival” i Szymon Marciniak është larguar për të udhëhequr ndeshjen finale dhe shanset e polakit janë rritur ndjeshëm tashmë, përcjell GazetaBlic Sport.
Polaku Marciniak pritet të jetë gjyqtari kryesor i finales që do të zhvillohet në ‘Lusail Stadium’.
Përpara çerekfinales, Daniele Orsato u përmend në forumet e gjyqtarëve dhe rrjetet sociale si kandidat edhe për finalen, por në atë kohë u theksua se caktimi i të njëjtit arbitër për të gjykuar ndeshjen hapëse dhe ndeshjen finale të turneut do të të jetë një precedent.
41-vjeçari Marciniak, i cili tashmë ka punuar gjatë Botërorit 2018 në Rusi (dy ndeshje si gjyqtar kryesor), ka udhëhequr deri më tani dy ndeshje në turneun e këtij viti – Francën me Danimarkën (2:1) në grupe, dhe Argjentina me Australinë (2:1) në 1/8 e finales.

/GazetaBlic Sport/