Ditën e djeshme është arrestuar për “keqpërdorim detyre”, zyrtari i komunës së Obiliqit.
“Gazeta Blic” nga burime të saj brenda komunës së Obiliqit ka marrë vesh se zyrtari i arrestuar është Muharrem Krasniqi, shef i Gjendjes Civile.
Krasniqi ishte emëruar në atë pozitë gjatë mandatit të kryetarit, Xhafer Gashi.
Ai u arrestua në flagrancë nga Policia, pasi ankuesja femër ka bërë të ditur se zyrtari i gjendjes civile i ka kërkuar favore në këmbim të rregullimit të dokumenteve.

Kjo u bë e ditur edhe në raportin 24 orësh të Policisë.
“Prishtinë 27.07.2021 – 22:25. Është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën e lartëcekur ku sipas ankueses femër kosovare i dyshuari, zyrtar i gjendjes civile në komunë e Obiliqit në këmbim të rregullimit të dokumenteve të gjendjes civile i njëjti i ka kërkuar favore viktimës. Me urdhër të prokurorit janë zhvilluar masa të fshehta dhe i dyshuari është zënë në flagrancë se bashku me viktimën ku dhe është arrestuar. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thonë nga policia”


